Lajme
Franca për marrëveshjen për të pagjeturit: Thelbësore për pajtimin Kosovë-Serbi
Demokracia
17:40 | 07 Prill 2023

Share:

Hap konkret drejt përfundimit të periudhës së zisë dhe thelbësore për pajtim e ka quajtur Franca dakordimin që Kosova dhe Serbia kanë bërë ditë më parë për marrëveshjen për të pagjeturit.

Në një reagim të premten në Facebook, Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se marrëveshja “ua mundëson familjeve të viktimave të shpresojnë të dinë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre dhe më në fund të mund të mbyllin periudhën e zisë që ndonjëherë ka zgjatur më shumë se tridhjetë vjet”.

Duke njoftuar po ashtu se Franca do t’i ndajë 100 mijë euro për Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të gjetur, identifikuar dhe kthyer të zhdukurit në familjet e tyre, ambasada e ka cilësuar këtë çështje “thelbësore për pajtimin dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Më 4 prill, kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë u takuan në Bruksel. Pas takimit, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell u shpreh se ka pajtim për deklaratën për personat e zhdukur, si dhe ka paralajmëruar miratim të saj në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në këtë deklaratë do të përdoret termi “të zhdukurit me dhunë”. Sipas Andin Hotit, kryetar i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, marrëveshja nënkupton se Serbia do të hapë arkivat dhe do t’i prezantojë dokumentet sekrete mbi vendndodhjen e personave të zhdukur.

 

Të ngjashme