Qeveria franceze ka shpallur një ndalim të ri të rreptë për duhanpirjen në shumicën e vendeve publike, në përpjekje për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe veçanërisht të fëmijëve.
Sipas vendimit të fundit, ndalimi do të zbatohet në të gjitha hapësirat ku ka gjasa të ketë të pranishëm fëmijë, përfshirë plazhet, parqet, kopshtet publike, zonat përreth shkollave, stacionet e autobusëve dhe terrenet sportive.
Kjo masë vjen si pjesë e një fushate më të gjerë kombëtare për të luftuar pasojat e dëmshme të duhanit dhe për të krijuar një mjedis më të shëndetshëm publik, shkruan bbc.
Ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin, theksoi rëndësinë e këtij vendimi, duke deklaruar “duhani duhet të zhduket aty ku ka fëmijë. Është detyrimi ynë t’i mbrojmë ata nga ndikimet e dëmshme të pirjes së duhanit dhe nga ekspozimi ndaj tymit të dorës së dytë”.
Autoritetet franceze kanë njoftuar se do të vendosen shenja për ndalimin e duhanit në zonat e prekura dhe se do të ketë kontrolle për zbatimin e ligjit.
Shkelësit do të përballen me gjoba, ndërsa fushatat sensibilizuese do të synojnë rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet që vijnë nga duhanpirja në hapësira të përbashkëta.
Ky vendim përforcon angazhimin e Francës për të reduktuar konsumin e duhanit dhe për të mbrojtur brezat e rinj nga varësia ndaj nikotinës dhe sëmundjet që lidhen me të.