Lajme
“Franca e Amerika në betejë për Trepçën”, konspiracionet e Ramabajës në portalin që financohet nga Qeveria Kurti 
Demokracia
16:30 | 11 Qershor 2023

Share:

“Më habit qëndrimi i Francës,” – është fjalia e Luigj Gurakuqit te filmi Nëntori i Dytë derisa lexon shtypin ndërkombëtar përkrah Ismail Qemalit gjatë udhëtimit për në Vlorë ku do të ngrisnin flamurin. Kjo fjali duket se ka lënë fërkemin e saj në mendjen e aktivistit të VV-së, Sadri Ramabajës, që ka habitur së fundi me qëndrimin për Francën.

Me një numër të madh konspiracionesh – e megjithatë më të vogël se gabimet drejtshkrimore – Ramabaja ka shkruar në portalin e tij të financuar nga Kryeministria një artikull në të cilin pretendon se ka zbuluar “prapaskenat” e diplomacisë frënge.

Beteja Francë-Amerikë për Trepçën

Veriu i Kosovës ka qenë pikë neuralgjike për interesat gjeopolitike të shumë aktorëve gjatë historisë politike moderne, përfshirë SHBA-të dhe Francën.

Sipas tij, beteja mes ShBA-ve dhe Francës bëhej për “1) siguri dhe stabilitet rajonal; 2) burimet natyrore si Trepça, 3) Ujmani e Maja e Pançiqit dhe rivaliteti mes të dyjave”.

Nejse, nuk ka kuptim as logjik pika e tretë por kështu thotë Ramabaja.

“Prapaskenat e diplomacisë frënge ndërlidhen si gjithmonë me betejën për Trepçën, por jo më pak edhe për Ujmanin dhe Majën e Pançiqit.[6]” – shkruan z. Ramabaja në shkrimin e tij të gjatë.

Sipas tij, qëllimi i angazhimit të Francës në dialog është që të imponohet një zgjidhje ku ndahet Trepça dhe sigurohet trashëgimia e aksioneve që kanë ndërmarrjet frënge “edhe nga koha e Millosheviqit”.

Natyrisht, për një pretendim të tillë, Ramabaja nuk ka ofruar ndonjë argument apo lëre më provë.

Për këtë arsye sipas tij, veprimet e Kurtit në veri janë më domethënëse.

“Prandaj, shtrirja e sovranitetit të Republikës në veri dhe ngritja e flamurit në Zveçan, për interesat jetike të Kosovës dhe të Kombit, merr përmasat reale që ka.” – thotë ai.

Dhe, natyrisht në gjithë këtë mal konspiracionesh ai nuk mund ta linte pa i bërë vend edhe UÇK-së, më saktë drejtorisë politike të saj (UÇK-së) që kishte bashkëpunuar me Francën që nga “Malet e Berishës”.

“Tashmë është sekret publik fakti se pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në malet e Berishës, kur intelegjencia amerikane po kërkonin të atashoheshin pranë tij, kishte kohë që atë e kishte futur nën kontroll intelegjencia ushtarake frënge [Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake – DRM). Pasojat tashmë janë të njohura. Ky fakt do t’i jap përparësi këtij shërbimi të jetë përcaktues për ndarjen e Mitrovicës dhe promovimin e zonës gri në veri të Republikës.” – shprehet ai.

Sipas tij, ky bashkëpunim mes Kosovës dhe ushtrisë së Francës vazhdoi edhe pas luftës.

Pra, çështja nuk është te zyret e ndërtesave komunale siç po na thotë Albin Kurti. Çështja – sipas Ramabasë – është konkretisht te Trepça, Maja e Pançiqit dhe Ujmani.

Lexo shkrimin e plotë duke klikuar KËTU.

Të ngjashme