Lajme
FOTO | Vlora Çitaku e quan heroinë të pakënduar gruan që Hashim Thaçin e cilëson si kryefjalë të së keqes
Demokracia
21:51 | 25 Nëntor 2022

Share:

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka çuditur me lartësimin që ia ka bërë Luljeta Pulës, e cila ka kohë që është pensionuar nga politika.

Çitaku e ka cilësuar atë si heroinë të pakënduar të historisë sonë.

“Me Luljeta Pulën, heroinën e pakënduar të historisë sonë”, ka shkruar Çitaku në Facebook, derisa duart ia ka vënë mbi supe asaj.

Megjithatë, heroina e pakënduar e historisë sonë, sipas Çitakut, rezulton të jetë një urrejtëse e madhe e Hashim Thaçit, ish-kryeministrit dhe ish-presidentit të Kosovës.

Në historinë që Pula ia “këndon” publikut përmes librit të saj, ajo aq shumë vjellë vrer ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, saqë pretendimet e saj shumë pak dallojnë prej aktakuzës me të cilën ai tani po përballet në Gjykatën Speciale.

“Ditë më parë ishim dëshmitarë të një spektakli masiv të organizuar nga kryefjala e së keqes, Hashim Thaçi…”, shkruan Pula në tekstin me titull “Kjo kryefjala e së keqes që nuk denjoj t’ia përmend emrin”, që gjendet brenda librit të saj, raporton Demokracia.com.

Në këtë tekst, kjo heroinë e pakënduar e Çitakut, duket e hidhëruar që policët e Kosovës e kishin arrestuar ish të ashtuquajturin drejtor të Zyrës së Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, të cilin e kishin sjell deri në Prishtinë për ndjekjen e procedurave lidhur me hyrjen e tij pa leje në Kosovë.

Luljeta Pula në këtë libër e merr bajrakun e prokurores dhe gjyqtares njëkohësisht, duke e akuzuar UÇK-në për çdo të zezë të pasluftës.

“Një popull i tërë i rënë dhe i traumatizuar nga pasojat e luftës po bëhej dëshmitar i një rebelimi të paparë vjedhjesh, plaçkitjesh e uzurpimesh”, shkruan tutje kjo heroinë e pakënduar e historisë në rrëfimin e saj për UÇK-në.

Nuk dihet nëse Çitaku e ka të njohur përmbajtjen e historisë së Pulës në librin e saj me titull “Rrëfimi i një jete për Kosovën”, por ajo aty shkruan “zi e terr” për UÇK-në dhe krerët e saj.

Këto janë vetëm disa pjesë të librit të Luljeta Pulës, ku mund t’i lexoni historitë e saj të “kënduara”. /Demokracia.com/

Të ngjashme