Lajme
FOTO| Vjosa Osmani vetë e teta në Slloveni, nuk mungon as “princi” i saj
Demokracia
11:55 | 05 Korrik 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dy ditë që ia ka mësyrë Sllovenisë.

Ajo po shoqërohet në Slloveni nga një delegacion i madh, shkruan Demokracia.com.

Ndonëse Osmani gjatë gjithë kohës flet për kursim të buxhetit të shtetit, ajo me vete e ka marrë një “armatë” të tërë nga kabineti i saj.

Osmanin në këtë vizitë po e shoqëron edhe bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu, i cili përveçse i pëlqen ta thërrasin “Zotëriu i Parë”, cilësim që nuk e njeh ligji, në rrethet e ngushta e quajnë edhe “princi”.

Kësaj radhe, Osmani me vete i ka marrë edhe këshilltarët Blerim Vela, Bekim Kupina, Learta Hollaj, Donjeta Miftari, por edhe fotografin.

Po ashtu, presidentja Osmani në Slloveni e ka marrë edhe zyrtaren ekzekutive Vesa Bujupaj, e cila rezulton të jetë shoqe e motrave të presidentes Osmani, Rinës e Blinerës, shkruan Demokracia.com.

“Gjeje një pesëshe më të mirë. Nuk ki.”, shkruhet në fotografinë e postuar ku Bujupaj shihet me motrat Osmani.

Ato kanë postuar edhe fotografi të tjera, ku shihen së bashku.

Po ashtu, Osmani me vete ka edhe pjesëtarë të Njësisë së Mbrojtjes së Afërt, që kujdesen për sigurinë e saj.

Ndërkohë, në një njoftim për media, Presidenca ka thënë se vizita në Slloveni do t’i rikonfirmojë marrëdhëniet e shkëlqyeshme me Slloveninë.

Po ashtu, në njoftim është thënë se me homologun e saj Pahor, në një sërë aktivitetesh të përbashkëta, presidentja Osmani do t`i diskutojë mundësitë e thellimit të bashkëpunimit dhe raporteve ndërshtetërore.

Gjatë kësaj vizite, presidentja Osmani ka zhvilluar takime me udhëheqës të Parlamentit të Sllovenisë dhe të Këshillit Kombëtar të Sllovenisë.

Në agjendën e vizitës zyrtare të presidentes Osmani në Slloveni është edhe takimi me mërgatën e Kosovës në Slloveni, ligjërata e organizuar nga Qendra për Perspektivën Evropiane dhe Bled Strategic Forum, si dhe pjesëmarrja në shfaqjen “Zgjimi i pranverës”, bashkëprodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Qendrës për Arte dhe Komunitet- Artpolis, e cila do të jepet në Teatrin e Nova Goricës.

E për një agjendë të tillë, që lë shumë për të dëshiruar, asaj iu deshën një “armatë” e tërë këshilltarësh, që t’i merrte me vete. /Demokracia.com/

Të ngjashme