Lajme
FOTO| Osmani s’i ndahet politikanit libanez që dyshohej për shpëlarje parash dhe tentoi ta blinte PTK-në
Demokracia
13:36 | 27 Mars 2022

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, brenda një kohe të shkurtër është takuar për herë të dytë me Kryeministrin e Libanit, Najib Mikati, i cili është i akuzuar për shpëlarje të parave, skandali i të cilit u publikua edhe në “Pandora Papers”.

Osmani derisa po merr pjesë në Forumin e Dohas është parë sërish pranë politikanit libanez, raporton Demokracia.com.

Osmani u takua me Mikatin edhe pak ditë më parë, më konkretisht më 19 shkurt të këtij viti, gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Sigurisë në Mynih.

Demokracia.com ka raportuar se dy politikanët në fjalë u panë duke biseduar së bashku dhe më pas duke shtrënguar duart.

FOTO| Osmani takohet me politikanin libanez që iu publikuan skandalet në Pandora Papers, dikur tentoi ta blinte edhe PTK-në

Është e rëndësishme të rikujtohet se kompania e Mikatit “M1 International Limited” kishte konkurruar për blerjen e Telekomit të Kosovës, të cilën partia bashkëpunuese e Vjosa Osmanit, Lëvizja Vetëvendosje, e kishte kundërshtuar shumë.

Në tetor të vitit 2021, kur u publikuan “Pandora Papers”, është raportuar se Mikati ka qenë pjesë e hulumtimeve të gazetarëve për grumbullimin e pasurisë në parajsat fiskale, të cilat ishin përdorur për blerjen e pronave luksoze.

Në anën tjetër, libanezët nën drejtimin e Mikatit janë duke u përballur me varfëri ekstreme, raporton Demokracia.com.

Sa i përket “Pandora Papers”, emrat me fytyra të guximshme në dokumentet e zbuluara përfshinin guvernatorin afatgjatë të bankës qendrore, një figurë kryesore në politikat e dështuara që ndihmuan në nxitjen e krizës financiare, si dhe kryeministrin Najib Mikati që presidentja Osmani nuk po i ndahet nëpër konferenca të ndryshme.

Një pretendim tjetër që shpesh është raportuar në mediat e huaja është se Mikati e ka përkrahjen e Hezbollahut, organizatë që Kosova zyrtarisht e ka shpallur si terroriste.

Kryeministri libanez, me të cilin u takua sërish Osmani, ka qenë nën hetime edhe për shpërthimin e fuqishëm në Bejrut gjatë vitit 2020. Mbi 200 persona kishin humbur jetën në këtë shpërthim dhe rreth 7 mijë të tjerë kishin mbetur të lënduar.

Gjyqi do të fillojë, por kryeprokurorja e çështjes u shkarkua, pasi ajo kërkoi të hetonte gjithashtu Mikatin dhe ish-kryeministra të tjerë, për rolin e mundshëm në shpërthimin e portit të Bejrutit në vitin 2020./Demokracia.com/

Të ngjashme