Lajme
FOTO| Mediat botërore: Perëndimi është i zhgënjyer me Qeverinë Kurti
Demokracia
22:24 | 23 Mars 2022

Share:

Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara i kanë reaguar ashpër sot Qeverisë së Kosovës, e cila ka deklaruar se nuk do ta lejojë mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e saj më 3 prill 2022. Mediat e huaja kanë raportuar lidhur me këtë, duke thënë se perëndimi është tejet i zhgënjyer me refuzimin e shtetit në formimin e të cilit vetë kontribuoi.

Daily Mail, Reuters, Associated Press, Abc News, The Pavlovic Today janë vetëm disa prej mediave të njohura ndërkombëtare që kanë raportuar për reagimin e ashpër të Quintit ndaj Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti, përcjell Demokracia.com.

Sipas këtyre raportimeve, SHBA dhe katër prej vendeve më të fuqishme evropiane, të mërkurën kritikuan ashpër refuzimin e Kosovës për lejimin e pakicës serbe që të votojë në zgjedhjet e Serbisë fqinje më 3 prill.

Megjithatë, mediat e huaja theksojnë se në këtë deklaratë nuk përmendet se cili konkretisht është propozimi që e refuzoi Kosova.

“Ne e pranojmë se është prerogativë e Qeverisë së Kosovës që të vendosë nëse do të lejojë apo jo lehtësimin e votimit në zgjedhjet e një vendi tjetër. Derisa ne vlerësojmë disponueshmërinë e Serbisë për të gjetur një zgjidhje, me zhgënjim të madh marrim parasysh vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar një propozim konstruktiv të paraqitur nga Quinti. Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës dështoi të demonstrojë përkushtimin e saj ndaj parimit të mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike të të gjithë qytetarëve të saj, përfshirë edhe pjesëtarët e grupeve minoritare”, thuhet në deklaratën e shteteve të QUINT-it, përcjell Demokracia.com.

Deklarata zyrtare figuron tashmë edhe në faqet zyrtare të qeverive të secilit shtet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deri më tani nuk është deklaruar lidhur me këtë reagim të ashpër që erdhi pikërisht nga aleatët e Kosovës.

Në një konferencë për media gjatë mëngjesit të së mërkurës, Kurti e ka pranuar se BE-ja nuk është e lumtur që Kosova nuk po e lejon mbajtjen e këtyre zgjedhjeve./Demokracia.com/

Të ngjashme