Lajme
FOTO| Koha kur Hekuran Murati “vajtonte” që një litër naftë kushtonte 90 centë dhe i pëlqenin protestat e Parisit
Demokracia
20:58 | 17 Qershor 2022

Share:

Edhe pse çmimi i naftës në bursë ka rënë krahasuar me disa ditë më parë, në Kosovë po vazhdon të rritet.

Në shumë prej pikave të karburanteve, një litër naftë dje kushtoi 1 euro e 90 centë.

E derisa kjo rritje po vazhdon, ministrit Hekuran Murati që në të kaluarën propagandonte për çdo cent që rritej, më nuk po i dëgjohet askund zëri, shkruan Demokracia.com.

“Veç thash t’ju tregoj që nafta në Kosovë (përfshi akcizën dhe tatimet) po hyn me 0.90-0.95 euro/litër, ndërsa çmimi i shitjes me pakicë assesi të bie nën 1.20 euro/litër. Autoriteti që mbikëqyr tregun e derivateve – Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Kryesorja, taksa ndaj Serbisë po i mbulon të gjitha gjynahet!”, kishte shkruar Murati më 9 dhjetor 2018, në kohën kur Qeveria e Kosovës i kishte vendosur taksë 100 për qind Serbisë.

Ndërsa, ditë më pare, thirrjet për ulje të akcizës së naftës, çmimi i së cilës pothuajse është dyfishuar gjatë qeverisjes së Kurtit, si ministër i tij i cilësoi si thirrje për trashje të fitimit të tregtarëve.

“Rritja e çmimit të naftës vjen si rezultat i rritjes së çmimit të furnizimit nga importi, që është jashtë kontrollit tonë, por edhe për shkak të rritjes së marzhës së fitimit nga tregtarët e naftës, sidomos tani kur pritet ardhja e mërgatës. Prandaj po punojmë për një vendim që cakton çmim tavan dhe marzhë maksimale të fitimit, sepse në situata të tilla të jashtëzakonshme, është e domosdoshme që Qeveria të ndërhyjë në treg për stabilizuar çmimet, gjë që parashihet edhe me legjislacionin në fuqi. Ndërsa thirrjet e opozitës që Qeveria të ulë TVSH-në apo akcizën në naftë ose produkte tjera, nuk i shërbejnë interesit të qytetarëve”, tha ndër të tjera, Murati.

Shoqata e Naftëtarëve ditë më parë ka dalë me një ultimatum ndaj Qeverisë së Kosovës, pasi kjo e fundit paralajmëroi ndërhyrje në rregullimin e çmimit që ka pësuar rritje ekstreme ditëve të fundit.

Fadil Berjani u ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti dhe ministrave ulje të akcizës dhe TVSH-së për produktet e naftës.

Ai ka paralajmëruar edhe mbyllje të pompave të derivateve në gjithë vendin, nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh. /Demokracia.com/

Të ngjashme