Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla – Schwarz, e ka takuar sot një prej politikanëve më të afërt të presidentit francez, Emmanuel Macron, sekretarin e shtetit, Clement Beaune.
Gërvalla përmes një postimi në llogarinë e saj në Twitter, ka fshehur një prej çështjeve kryesore që është diskutuar në këtë takim, mbajtja e zgjedhjeve presidenciale serbe në Kosovë, ashtu siç ishte paralajmëruar edhe nga Beaune në paralajmërim të takimit, përcjell Demokracia.com.
“Kënaqësi që të takohem me Clement Beaune, sekretar i Francës për Punët Evropiane. Kemi diskutuar për integrimin euro-atlantik dhe çështjet rreth dialogut. Po ashtu, kemi ndarë shqetësimet tona për situatën në Ukrainë dhe implikimet e sigurisë që paraqet për BE-në”, ka thënë Gërvalla në njoftimin e saj.
A real pleasure to meet @CBeaune, Secretary of State for European Affairs ??.
We discussed ??‘s Euro-Atlantic integration and matters regarding the dialogue. We also shared our concern about the situation in Ukraine and the security implications it poses for ??. pic.twitter.com/2hiwhsxyPb— Donika Gërvalla-Schwarz (@gervallaschwarz) March 16, 2022
Ndonëse nga pala franceze nuk është dhënë ende ndonjë deklaratë se si shkoi takimi, më herët Ministria e Francës për Punë të Europës bëri të ditura disa prej pikave që do të diskutohen.
Një prej çështjeve kryesore që theksohej, ka qenë diskutimi për një zgjidhje sa më të shpejt për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, në prill të këtij viti.
“Ai (Beaune) gjithashtu do të nënvizojë rëndësinë e gjetjes së shpejtë të një zgjidhjeje të kënaqshme për çështjen e votimit për qytetarët serbë që banojnë në Kosovë”, thuhej në njoftimin e ministrisë franceze, përcjell Demokracia.com.
Në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është deklaruar gjatë së martës, ku nuk ka dhënë një përgjigje të qartë rreth vendimit që është marrë.
Por, sipas tij, çfarëdo zgjidhje që të vendoset nuk duhet të cenojë shtetësinë dhe kushtetutshmërinë e Kosovës, përcjell Demokracia.com.
“Ne kemi shprehur qëndrimin tonë dhe konsiderojmë që në njërën anë nuk duhet që t’u pamundësojmë serbëve në Kosovë, që përveçse kanë nënshtetësinë e Kosovës dhe atë të Serbisë, ta kenë të drejtën e votës, mirëpo në anën tjetër kushtetutshmëria, ligji në Kosovë, rezoluta e fundit e 15 janarit, neve na e obligojnë bazën e çfarëdo zgjidhje që do të marrim në të ardhmen”, theksoi kreu i VV-së.
Ky qëndrim i kryeministrit Kurti vjen pas dy telefonatave që i ka marrë nga këshilltari special i Departamentit të Shtetit, Derek Chollet.
Chollet pas telefonatës së dytë të zhvilluar dje me kryeministrin, ka theksuar se është e rëndësishme që serbët që jetojnë në Kosovë e që kanë të drejtë vote t’iu mundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet e Serbisë./Demokracia.com/
FOTO| Gërvalla takon sekretarin francez të shtetit, fsheh temën kryesore që e diskutoi me të