Lajme
FOTO| E vizitoi Kurtin para pak ditësh në Qeveri, ky person kishte propozuar që Berishaj të bëhej President i Kosovës
Demokracia
14:03 | 23 Prill 2022

Share:

Në vitin 2020, Mustafë Bajrami i ishte bashkuar Lëvizjes Vetëvendosje. Sot e kësaj dite, ky i fundit është përkrahës i madh i Albin Kurtit, ku siç duket edhe janë takuar gjatë muajit prill. Jo shumë kohë më parë, Bajrami kishte vlerësuar se personi më meritor për President të Kosovës është Martin Berishaj, ambasadori në Kroaci të cilit së fundmi iu zbulua një skandal financiar.

Martin Berishaj në mediat sllovene i ka plasur një skandal i madh financiar. Në një hulumtim të një televizioni slloven, ai është konsideruar si “mushkë financiare” që transportoi mbi gjysmë milionë euro nga Mali i Zi për në Slloveni, të cilat ia dorëzoi kandidatit për kryeministër të këtij vendi, Robert Golob, përcjell Demokracia.com.

Megjithatë, një anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe person i afërt me kryeministrin Kurti, Berishajn e kishte konsideruar si të duhur që të bëhej edhe president i vendit.

Në kohën kur u konfirmua emërimi i Berishajt si ambasador në Kroaci, Bajrami ia kishte kushtuar një shkrim atij, duke i thurur lavde dhe duke cilësuar atë si personalitet meritor edhe për President të Kosovës.

“Kur para dy viteve flitej se kush duhet të zgjidhet president i Kosovës, për Prof. Dr. Martin Berishaj kam menduar e kam folur gjithandej me miq se është njëri prej dy personaliteteve më meritore për President të Kosovës. Njeri me virtyte të larta e me karakter të fortë. Shqiptar i vërtetë e intelektual i tarzit të lartë. Profesor universitar me nam, politikan i rryer e autor i disa veprave të thella shkencore”, kishte shkruar Bajrami.

Bajrami nuk dihet nëse është ende anëtar i LVV-së, por përkrahja e tij ndaj Kurtit vazhdon. Madje, sipas një postimi që e ka publikuar në rrjetin social Facebook, të dytë siç duket janë takuar gjatë këtij muaji në objektin e Qeverisë së Kosovës.

Sa i përket këtij skandali, kandidati për kryeministër Robert Golob, sipas mediave sllovene, ka pranuar 600 mijë euro të dyshimta nga ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Golob në një debat me kryeministrin Jansha deklaroi se ky i fundit dhe ambasadori Berishaj janë miq, përcjell Demokracia.com.

Si kundërpërgjigje, Jansha e konfirmoi se e njeh Berishajn, kryetarin e Shoqatës Kulturore Shqiptare në Slloveni, por mohoi të ketë lidhje shoqërore me të.

Ndërkohë, të mërkurën televizioni slloven, Planet Tv, raportoi se rreth 600 mijë euro cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni dhe se rolin e “mushkës” ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.

Sipas këtij televizioni, në xhirollogarinë MB Consulting, në pronësi të Berishajt të regjistruar në Mal të Zi, nga një kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, përcjell Demokracia.com.

Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania GEN ka marrëveshje për këshillime.

Lidhur me rastin sot ka reaguar edhe ambasadori Berishaj, i cili ka paralajmëruar padi ndaj këtij mediumi, por nuk ka mohuar dhe as pohuar që kompania në fjalë është e tij.

Ndërkaq, presidentja Vjosa Osmani, në një përgjigje ndaj një gazetari, sot fillimisht e cilësoi si “dezinformatë” dhe “konstatim” këtë çështje, por më vonë e zbuti qëndrimin e saj, duke thënë se i ka kërkuar raport ambasadorit Berisha.

Njëjtë edhe kryeministri Kurti, i cili e ka mik ambasadorin Berishaj, duke cituar fjalët e këtij të fundit, tha se raportimet e mediave sllovene janë të pavërteta./Demokracia.com/

Të ngjashme