Miq të ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-luftëtarë të UÇK-së ia kanë mësyrë sot odës së Haxhi Thaçit në Burojë për festën e Fitër Bajramit.
Për të bërë Bajram me babanë e ish-presidentit Thaçi sot ishin edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura, së bashku me ish-komandantin e UÇK-së, Jetullah Gecin.
Po ashtu, përmes profilit të tij në rrjete sociale, edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj, ka njoftuar se ka qenë për vizitë në Burojë.
“Dihet se prindërit janë mësuesit e parë të fëmijës e shtëpia është tempulli i familjes. Ky rol, si askujt më shumë, i shkon Bacës Haxhi, babait të Presidentit Hashim Thaçi dhe odës së familjes së tij! Bacën Haxhi e urova për Festën e Bajramit dhe e falënderova që edukoi e mësoi një personalitet të madh për kombin shqiptar, i cili padrejtësisht nuk ndodhet as pranë prindërve, as pranë familjes, në këtë ditë feste, por që shumë shpejtë do të kthehet edhe më i fortë pranë tyre dhe Kosovës!”, ka shkruar Hoxhaj.
Po ashtu, në rrjete sociale po qarkullon edhe një fotografi e disa ish-luftëtarëve të UÇK-së nga Zona e Llapit, të cilët e kanë vizituar babanë e ish-presidentit në Burojë.