Lajme
FOTO| Aleksandar Vuçiq ia thyen hundën një 22-vjeçari midis Graçanicës
Demokracia
20:15 | 07 Shtator 2022

Share:

22 vjeçari Nikola Sekuliq nga Graçanica është rrahur nga Aleksandar Vuçiq. 

Ju mund të mendoni se bëhet fjalë për presidentin, por jo. Personi që po pretendohet se ia ka thyer hundën qytetarit serb është polic në Stacionin Policor të Graçanicës dhe Demokracia.com nga burimet e saj merr vesh se ai quhet Aleksandar Vuçiq.

Sekuliq fillimisht kërkoi ndihmë mjekësore në Qendrën Shëndetësore të Graçanicës, prej nga u dërgua në repartin kirurgjik të Qendrës Spitalore Klinike në Graçanicë, ku nga ekzaminimi rezultoi se i ishte thyer hunda, shkruajnë mediat serbe.

Nga kirurgjia është konfirmuar se Sekuliq ka pësuar frakturë të kockës së hundës dhe ai është dërguar në Qendrën Shëndetësore në Mitrovicë për trajtim të mëtutjeshëm, pak pas mesnatës.

Nikola Sekuliq tha për Media Center se rreth orës 22:30, dy policë erdhën në vendin e tij të punës në një lokal në Graçanicë dhe i kërkuan që të shkonte me ta në stacionin policor për të nënshkruar diçka, pasi ai ishte ndaluar një natë më parë.

“Shkova në stacion dhe dolëm menjëherë, më thanë të hipja në makinën e policisë. U ula në veturë dhe më pas ata filluan të lëvizin nëpër Graçanicë. Në veturë po flisnin sesi mbarova me policinë e Graçanicës, sesi nuk kam më punë me ta, si do të më çonin në Gllogivc për t’u ‘ngacmuar nga shqiptarët’ atje dhe më pas nuk folën më. Askush nuk tha asgjë, unë po shikoja drejt përpara dhe më pas polici që ishte ulur pranë meje në sediljen e pasme më goditi me grusht në hundë. Nuk e pash nëse ma bëri me dore apo me ndonjë gjë, me dore kapa hundën që të mos më pikonte gjaku në rroba. Pas kësaj, ata ndaluan para lokalit ku punoj, që të mund të kthehesha në punë. Kur dola nga makina, polici që më goditi më pyeti ‘ku ke goditur, në cilin shtyllë ke goditur, ku ke rënë’, më ka pyetur diçka të tillë. Unë heshta për këtë dhe shkova në oborrin ngjitur për të larë hundën”, ka thënë Sekuliq, përcjell Demokracia.com.

Vendi ku punon Sekuliq është vetëm pesëdhjetë metra larg stacionit policor në Graçanicë.

Sekuliq thotë se nuk e di pse është rrahur.

“Nuk më kanë thënë asgjë, as pse, as si. Thjesht më thanë të shkoja të lahesha diku dhe të shkoja në farmaci për të blerë një copë”, tha ai.

Nikolla tregon se policët kanë qenë të nacionalitetit serb dhe polici që e ka goditur natën e kaluar e ka çuar para lokalit të natës “Staro mesto” në Graçanicë, ku ka pasur përleshje.

“I njëjti polic që më goditi sot, më ka marrë në paraburgim një natë më parë pa asnjë arsye, sepse nuk kam bërë asgjë”. Sapo më morën në paraburgim dhe më pyetën në stacion se kush po luftonte dhe pse, thashë se nuk e kisha idenë dhe më lanë të shkoja. Nuk kam lidhje me atë incident, më kanë marrë në paraburgim pa asnjë arsye dhe sot kam marrë të njëjtën rrahje pa arsye”, tha Nikola Sekuliq për Media Center.

Qendra për media në lidhje me këtë rast ka tentuar të kontaktojë komandantin e Stacionit Policor në Graçanicë, Bratislav Trajkoviq, por ai nuk është përgjigjur në thirrje. /Demokracia.com/

Të ngjashme