Lajme
Formalizim i statusit apo status special për Kishën Serbe, çfarë parashihet në pjesën e dytë të Nenit 7?
Demokracia
12:07 | 07 Mars 2023

Share:

Me t’u shpërbërë konceptet identitare mbikombëtare në ish-Jugosllavi, Kisha Ortodokse Serbe iu rikthye skenës publike si një fantazmë e rinuar e së shkuarës së largët. Qëllimi kryesor është ta vendos veten si institucion që rrënjësisht dhe autentikisht përfaqëson identitetin, qenësinë, por dhe vetë “Shtetin” serb.

Perceptimi tradicional fetar ortodoks, dallueshmëria kulturore, mitet kombëtare dhe simbolet e sakralizuara nga Kisha Ortodokse Serbe u instrumentalizuan, politizuan dhe u aktualizuan për t’u bërë therrë në marrëdhëniet ndëretnike në rajon, dhe atë edhe pas më shumë se 30 viteve.

Nga të gjitha të bëmat anekënd Ballkanit, Kosova në veçanti, proklamohej dhe vazhdon të proklamohet për “Jeruzalem” të Serbisë nga ky institucion fetar.

Pjesa tjetër, histori e mbarënjohur.

Në Planin e Ahtisaarit që i parapriu Pavarësisë së Kosovës, ky institucion do të gëzonte mbrojte e ruajtje të madhe të ekzistencës së saj brenda shtetit të ri, shtet të cilin kjo kishë nuk e njeh.

“[…] sigurimin ekzistencës dhe operimit të pakufizuar dhe të papenguar të Kishës Ortodoke Serbe në Kosovë. Kisha dhe organizatat e saj të brendshme do të njihen hapur nga autoritetet e Kosovës, prona e saj do të jetë e paprekshme, do të gëzojë privilegje në taksa dhe detyrime doganore. Zonat e mbrojtura do të krijohen në më shumë se rreth 40 hapësira religjioze dhe kulturore kyçe. Pa paragjykuar pronësinë e pronave në zonat e mbrojtura, kufizime të veçanta do t’u aplikohen aktiviteteve brenda këtyre zonave të mbrojtura për të garantuar ekzistencën dhe funksionimin e këtyre hapësirave fetare dhe kulturore […]”, thuhej në Kapiutllin 2, Pikën 6 të Propozimit të Ahtisaarit.

Kur dukej se kësaj kishe i ishin siguruar të gjitha të drejtat dhe priviliegjet që një institucion fetar mund të dëshirojë në një shtet, u shtua edhe diçka.

Në Plan-Propozimin e BE’së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Neni 7 përcakton se Kosova do të formalizojë statusin e Kishës Ortodokse Serbe. Megjithatë, për pak kënd kjo ka kuptim, pak kush e ka të qartë se çfarë do të thotë kjo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke folur më 23 shkurt garantoi se Kishës Ortodokse Serbe nuk t’i njohë “asgjë të veçantë, privilegjuese e as historikisht kontestuese”.

Formalizimi, sipas tij, nënkupton njohjen e Kishës Ortodokse Serbe si person juridik fetar, përkatësisht bashkësi fetare në legjislacionin e brendshëm të Republikës së Kosovës. “Nuk nënkupton asgjë të veçantë”, u shpreh ai, ndërsa tha se pse gjërat janë ashtu siç janë, është ngase “i kam trashëguar”.

“I takon një analize politiko-historike të përcaktojë se kush janë faktorët që ajo ka rezultuar të jetë e tillë”, shkruan Insajderi.

“Në propozim përmbahet një pikë mbi formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe. Formalizimi nuk nënkupton negociim mbi statusin e saj, e as diskutim mbi të drejtat e veçanta […] Formalizimi nënkupton njohjen e Kishës Ortodokse Serbe si person juridik fetar, përkatësisht bashkësi fetare në legjislacionin  e brendshëm të RKS. Nuk nënkupton asgjë të veçantë”, u shpreh kryeministri.

Status Special për Kishën Serbe në Kosovë?

“Kjo pika për Kishën Serbe ka qenë një lloj çudie për të gjithë”, thotë fillimisht Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate në një përgjigje për Insajderin.

Pozita e Kishës Ortodokse Serbe është tashmë e sanksionuar në Kosovë përmes Planit të Ahtisaarit, rikujton Hyseni.

“Fakti që edhe pas kësaj e kemi një Nen që flet për formalizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe, flet që janë tejkaluar dispozitat e Planit të Ahtisaarit; se jemi shumë larg tij”.

Kur konflikti merr edhe natyrë fetare, për Zgjyim Hysenin, kjo do të thotë se synohet edhe “përjetësimi i konfliktit”.

“Çka ne nuk duhet me pranu, jo vetëm karshi kësaj qeverie, por edhe ndaj opionin të komunitetit ndërkombëtar, janë pretendimet se Kisha Ortodokse Serbe, objektet e trasëgimisë religjioze e kulturore, qenkan të rrezikuara”.

“Një gjë e tillë nuk është e vërtetë, dhe monstrume të këtilla juridike nuk është mirë me ndërtu mbi këto supozime që nuk ekzistojnë”.

Edhe nga Partia Demokratike e Kosovës shprehen se kjo çfarë kërkohet në Nenin 7 tejkalon kornizën ligjore dhe garancitë e mëdha që Kishës Ortodokse Serbe i jepen në Kushtetutën e Kosovës.

“Konteksti është shumë kompleks”, thotë Vlora Çitaku, Nënkryetar e PDK-së, në një përgjigje për Insajderin.

“Ju e dini që ne jemi treguar shumë zemërgjerë për të akodomuar bashkësitë fetare në Kosovë, për të akodomuar interesat e Kishës Ortodokse Serbe, mirëpo këtu kemi të bëjmë me ofrimin e një statusi juridik dhe politik”.

“Kjo nuk ka të bëjë me mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike”, përfundon ajo.

Të ngjashme