Lajme
“Foreign Affairs” alarmon për zhvillimet në Ballkan: ShBA dhe Evropa me vija të kuqe ndaj provokimeve serbe
Demokracia
14:01 | 07 Nëntor 2023

Share:

Magazina amerikane Foreign Affairs e ka publikuar një artikull të gjatë kushtuar tensioneve të fundit mes Kosovës dhe Serbisë dhe rreziqeve të mëdha që i kanosen edhe vetë NATO-s nëse vazhdon qasja aktuale ndaj Beogradit. Çka thuhet në këtë artikull?

Artikulli është i titulluar “Fronti i Dytë i Rusisë në Evropë” dhe flet për interesin e madh që e ka Rusia për të eskaluar tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.

Gjithçka nis me ushtrinë serbe që në fund të shtatorit, pas sulmit në Banjskë, i ishte afruar kufirit të Kosovës në numra goxha të mëdhenj. “… është pjesë e zhvillimit alarmues në Ballkan” – thotë artikulli i shkruar nga David Shedd dhe Ivana Stradner, shkruan Nacionale.

Në fakt, i gjithë toni i artikullit është alarmues. Aty theksohen qëllimet destabilizuese të presidentit Vuçiq, por kësaj i shtohet edhe qëllimi tjetër – i lidhur me Kremlinin – e që është “turpërimi i NATO-s.”

Autorët thonë që është më se e nevojshme që tash – para se të jetë vonë – ShBA-ja dhe Evropia t’ia bëjnë të qartë Beogradit dhe Moskës se “do të reagojnë fort, dhe me ashpërsi, ndaj provokimeve të ardhshme në Ballkan. Ata duhet ta forcojnë praninë e NATO-s në rajon dhe të vendosin vija të kuqe kredibile të cilat Serbia s’mund t’i kalojë pa provokuar një konfrontim ushtarak me forcat e NATO-s.”

Alarmi i autorëve më tej bëhet edhe më konkret. Pasi e cilësojnë Vuçiqin një oportunist dhe i përmendin qëllimet e shprehura më 2018 për një marrje të mundshme të territoreve brenda Kosovës, ata thonë këto fjalë:

“Me Perëndimin të zënë me furnizimin e Ukrainës, mbështetjen e Izraelit dhe frenimin e Kinës, Vuçiqi beson se mundësia e tij për të kryer operacione në Kosovë mund të vijë së shpejti.”

Por, çka po kërkon Moska në gjithë këtë punë? Çështja është pra është goxha më thellë. Sipas artikullit, qëllimi i Moskës është që të kthehet si negociatori më i besueshëm i konfliktit në Ballkan në mënyrë që pastaj të merrte koncesione të rëndësishme.

“Në fund të fundit, nëse paqja në Ballkan varet nga Putini, zyrtarët e NATO-s do të detyrohen që të bëjnë koncesione ndaj Moskës nëse duan të shmangin luftën.” – shkruhet tutje.

Por, fjalitë më shqetësuese dhe alarmuese janë si vijon:

“…ai (Putini) po ashtu shpreson që të tregojë se NATO-ja është tigër prej letre dhe se nuk do të veprojë me vendosmëri nëse testohet seriozisht. Dhe, edhe nëse NATO-ja lufton kundër Serbisë, Putini megjithatë mund të fitojë. Duke e hapur një front tjetër, Perëndimi do të kishte kapacitet më të vogël për ta ndihmuar Ukrainën.”

Të ngjashme
Lajme • 23 Prill 2025