Lajme
Fondi Sovran i Albin Kurtit | Profesori thotë se s’ka rezultate me praktikat e së kaluarës dhe ekonomi të komanduar
Demokracia
15:23 | 17 Maj 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës më 22 shtator të vitit 2021 kishte njoftuar për nisjen e procedurave për themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës.

Kurti gjatë kësaj mbledhje kishte thënë se arsyeja e themelimit të këtij fondi është ndërtimi i një ekonomie të qëndrueshme, duke e konsideruar si hap të rëndësishëm.

Edhe dje Kurti e ka përmendur Fondin Sovran. Ai ka vlerësuar se ky Fond është projekti më i madh ekonomik në vend ndonjëherë, duke shtuar që së shpejti do të miratohet në Qeveri projektligji për këtë të.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Kurti ka njoftuar se të martën bashkë me deputetë të partisë së tij, aktivistë dhe ekspertë, kanë diskutuar për atë që ai e ka quajtur bërthama e sovranitetit ekonomik të vendit.

Ky Fond parasheh që astetet kryesore të shtetit të Kosovës t’i ketë nën menaxhim dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit të shuhet. Asetet strategjike të Kosovës, do t’i ketë në përgjegjësi Fondi duke nisur nga Trepça, KEK-u, Telekomi dhe Posta e Kosovës, por edhe të gjitha asetet e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP), do t’i kalojnë nën menaxhim.

Profesorin e ekonomisë, Mustafë Kadriaj, themelimin e këtij Fondi e ka vlerësuar jo të duhur dhe se nuk do të jep ndonjë rezultat në ekonominë e Kosovës.

“Vlerësoj që nuk ka rezultat në ekonomi të komanduar duke caktuar Fondin e investimit dhe duke përcaktuar sasinë e prodhimit, po ashtu edhe përcaktimin e çmimit. Pra, ka praktike i përket të kaluarës. Por edhe nëse do t’ia qëllojnë nuk mund të funksionojë për faktin se tërë rajoni dhe bota punojnë me ekonomi të konkurrencës së lirë”, ka thënë Kadriaj në një prononcim për Demokracia.com.

Kadriaj i ka rekomanduar Kurtit që të investoj në asetet shtetërorë.

“Pas pesë viteve do të kemi vetëm dështim dhe humbje të kohës, sepse Trepça dhe energjetika kanë nevojë për investime nga sektorë të fuqishëm privatë, duke u mbikëqyrur nga institucionet shtetërore, e jo me qeveri investuese”, ka thënë tutje ai.

Kujtojmë  se Lëvizja Vetëvendosje, që qeverisë me Kosovën, themelimin e Fondit Sovran dhe shuarjen ne Agjencisë së Privatizimit e ka proklamuar gjatë fushatës zgjedhore, duke i dhënë fund edhe privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe tokave që kanë qenë në pronësi të kësaj Agjencie. Megjithatë, AKP-ja vazhdon të jetë funksionale dhe drejtohet nga një Bord i caktuar nga Qeveria, respektivisht përbëhet nga njerëz të LVV-së. /Demokracia.com./

Të ngjashme