Lajme
“Fondi 3%”, eksperti financiar thotë se mjetet në vlerë mbi 154 mijë euro nuk dihet se në çfarë destinimi janë shpenzuar
Demokracia
23:44 | 04 Maj 2022

Share:

Eksperti financiar nga Drejtoria për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në kuadër të Policës së Kosovës, Bujar Qorrolli, ka thënë se në bazë të raportit të tij, mjetet financiare në vlerë prej 154 mijë e 132 euro e 47 centë, nuk dihet se në çfarë destinimi janë shpenzuar.

Këtë deklarim, eksperti Qorrolli e ka dhënë në seancën e së mërkurës në rigjykimin për rastin e njohur si “Fondi 3%”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë rast, Naser Osmani, ish-deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Atdhe Gashi dhe ish-këshilltari i ish-kryeministrit të Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit”.

“Në bazë të raportit tim dhe dokumentacionit që është shqyrtuar, mjetet financiare në vlerë prej 154 mijë e 132 euro e 47 centë janë mjete të cilat nuk dihet se në çfarë destinimi janë shpenzuar, për shkak se për këtë vlerë financiare nuk ka pasur dokument që e arsyeton destinimin e shpenzimeve, andaj kemi konstatuar se këto mjete janë mjete janë shpenzuar në burim të panjohur”, ka thënë Qorrolli.

Ky konstatim i cekur në këtë raport përfshin periudhën 2006 -2015, sepse sipas tij ashtu kishte kërkuar prokurori me aktvendimin për caktimin e ekspertit.

Kjo mungesë sipas ekspertit ishte konstatuar duke u marrë për bazë llogaritë bankare, ditarët e arkës dhe dokumentacioni lidhur me shpenzimet operative.

Fillimisht, eksperti Qorrolli deklaroi se qëndron pranë konstatimit të tij në raportin e ekspertizës financiare dhe deklarimeve të dhëna më parë në këtë çështje penale.

I njëjti ka thënë se më 16 maj 2016, kishte pranuar edhe disa dokumente që sipas tij ishin statusi i OJQ UFORK, raportet e shpenzimeve si lista e pagave për vitin 2011, deklaratat e palëve në procedurë dhe autorizimet lidhur me përdorimin e tre automjeteve, llogaritë bankare të OJQ UFORK-ut për periudhën 2003 deri më 20 mars 2012.

Kurse, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit së të akuzuarit Osmani, avokatit Florent Latifaj, eksperti Qorrolli deklaroi se nuk e kishte pasur të gjithë dokumentacionin e kompletuar, pra sipas tij nuk kishte pasur ditarët e arkës për vitet 2006-2007.

“Jo nuk kam pasur ditarin e arkës për vitin 2006-2007, por për këto dy vite kam pasur raportet lidhur me shpenzimet operative të cilave iu kam referuar edhe më herët, si dhe disa shpenzime në emër të pagave të cilat shpenzime janë marrë në bazë të deklaratave qe janë deklaruar palët në procedurë”, tha eksperti Qorrolli.

Tutje, sipas Qorrollit lidhur me shpenzimin e pagave, deklaratë ka dhënë i akuzuari Osmani, i akuzuari Gashi si dhe punëtorët tjerë që kanë punuar në OJQ UFORK.

Në bazë të këtyre deklaratave, eksperti ka thënë se shpenzimet vjetore në emër të pagave për vitin 2006 ai kishte kalkuluar shumën 9 mijë e 20 euro.

Ndërsa, për vitin 2007 në emër të shpenzimeve të pagave eksperti deklaroi se kishte kalkuluar shumën 5 mijë e 20 euro.

“Në deklaratën e Atdhe Gashit në të cilën deklaratë është cekur se zyrat e OJQ UFORK, janë thyer dy herë radhazi dhe mungon dokumentacioni, prokurori i lëndës ka kërkuar nga unë që çdo deklarim që është dhënë nga palët në procedurë lidhur me shpenzimet e pagave, prokurori ka kërku që t’i pranohet për shkak të mungesës së dokumentacionit”, tha Qorrolli.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Osmani, eksperti Qorolli ka thënë se nuk i ka poseduar vendimet e kryetarit të këshillit drejtues Bujar Bukoshit, që sipas Osmanit të hyrat në llogarinë e tij dy herë nga 1 mijë euro, ishin bërë në emër të tij si përcjellës në spital për ish- kryetarin e Komunës së Istogut, Fadil Feratin dhe vlerën tjetër 1 mijë euro për blerjen e një laptopi.

“Jo nuk e kam pasur këtë vendim sikur t’i kisha pas do t’i kisha evidentuar në raport lidhur me arsyetimin e mjeteve”, u përgjigj eksperti.

Eksperti Qorrolli tutje ka deklaruar se në bazë të llogarisë bankare të OJQ UFORK dhe ditarëve të arkës, qarkullimi financiar ka ndodhur prej 1 janar 2006 deri me 30 mars 2012, ndërsa në bazë të raporteve lidhur me shpenzimet operative të cilat ai tha se i kishte pranuar nga prokuroi i çështjes, sipas tij OJQ UFORK ka krijuar dhe ka paguar shpenzime operative edhe pas muajit mars 2012 deri në vitin 2015.

Për mënyrën se si është bërë pagesa e këtyre obligimeve për periudhën 2012-2015, ai tha se nuk mund të deklarohet pasi që i njëjti shtoi se i është referuar raportit të operatorëve lidhur me shpenzimet operative të krijuara nga OJQ UFORK.

Vlera prej 4 mijë e 660 euro e 4 centë, sipas ekspertit Qorrolli, i takon shpenzimeve operative të krijuara në emër të shpenzimeve të thirrjes telefonike në PTK Vala, IPKO dhe kompania KEDS, për të cilat nga raportet e lëshuar nga këta operatorë nuk ceket se kush ka qenë pronar.

“Në bazë të raporteve të pranuara nga prokurori, e të cilat raporte janë lëshuar nga Vala 900, operatori IPKO dhe kompania KEDS, nuk ceket se kush është pronar”, tha Qorrolli.

Qorrolli deklaroi se po t’i kishte pasur të gjitha dokumentacionet për vitet 2006-2007 do të ishin sqaruar më saktë shpenzimet.

“Po, është e saktë që jam deklaruar kështu, kësaj përgjigje i jam referuar raportit të ekspertit të pavarur, në të cilin raport të ekspertit të pavarur kam parë se janë të evidentuar ditarët e arkës për vitin 2006-2007, prej të cilëve ditarë të arkës eksperti i pavarur kishte identifikuara disa shpenzime më të larta se në raportin tim”, tha eksperti.

Ai thotë se në raportin e tij ka konstatuar se OJQ UFORK ka pasur shpenzime në vlerë 21 mijë e 978 euro e 35 centë.

“Duke marrë për bazë ditarët e arkës të vitit 2006-2007 në raportin e ekspertit të pavarur, eksperti i pavarur për vitin 2006 ka konstatuar se të gjitha shpenzimet operative duke përfshirë edhe pagat janë  82 mijë e 195 euro e 11 centë, ndërsa unë gjatë shqyrtimit të dokumentacionit të pranuar nga prokurori për këtë vit kam konstatuar se OJQ UFORK ka pas shpenzime operative në vlerë prej 21 mijë e 978 euro e 35 centë, diferenca është 60 mijë e 216 euro e 76 centë”, tha Qorrolli.

Po ashtu, në bazë të raportit të ekspertit të pavarur dhe ditarit të arkës, sipas Qorrollit eksperti i pavarur ka konstatuar se për vitin 2007 OJQ UFROK gjithsej shpenzime i ka pasur 104 mijë e 865 euro e 7 centë.

“Ndërsa në bazë të dokumentacionit të pranuar nga unë prej prokurorit për vitin 2007 kam konstatuar se shpenzime operative kanë qenë gjithsej 12 mijë e 522 euro e 64 centë, diferenca në mes të raportit tim dhe ekspertit të pavarur është 92 mijë e 342 euro e 43 centë”, shtoi tutje eksperti Qorrolli.

Meqenëse ishte fundi i orarit të punës së gjykatës, seanca e radhës do të vazhdojë më 25 maj të këtij viti.

Aktakuza ndaj Bujar Bukoshit, Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit ishte ngritur më 28 prill 2017, nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Paraprakisht, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Shabani–Rama, e cila më 23 maj 2018, kishte mbajtur shqyrtimin fillestar ndaj Naser Osmanit dhe Atdhe Gashit.

Po në këtë seancë, gjykatësja Shabani-Rama kishte marrë vendim për veçimin e procedurës penale ndaj Bujar Bukoshit, me arsyetimin se ai ishte i sëmurë dhe nuk kishte mundur të paraqitej në këtë shqyrtim fillestar.

Më pas, më 26 tetor 2018, gjykatësja Shabani-Rama kishte mbajtur edhe shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarve Osmani dhe Gashi, e të cilët brenda afatit ligjor kishin paraqitur kundërshtimet për provat dhe kishin ushtruar kërkesë për hudhje të aktakuzës.

Mirëpo, gjykatësja Shabani-Rama, më 3 dhjetor 2018, kishte marrë vendim që të refuzoheshin kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.

Lidhur me këtë, të akuzuarit Osmani dhe Gashi, kishin ushtruar ankesë ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, e cila më 17 janar 2019, kishte refuzuar këto ankesa, duke konfirmuar aktakuzën në fjalë.

Ndërsa, më 18 janar 2019, kjo lëndë i ishte ndarë në punë gjykatëses së Departamentit të Përgjithshëm në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Medie Bytyçi dhe më 13 mars të këtij viti, kjo lëndë nga Apeli, ishte kthyer në zyrën e kësaj gjykatëseje.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së dhe veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të KPK-së, kundër të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shpërdorim”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të KPK-së, lidhur me par.31 të KPK-së, kundër Naser Osmanit për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së dhe kundër të akuzuarit Atdhe Gashi për shkak të veprës penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249 par.1 të KPK-së.

Sipas PSRK-së, Bujar Bukoshi akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2015, me qëllim që t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e ka përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila i është besuar atij, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në Fondin 3%, duke parë nevojën për të ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë, ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi janë transferuar në xhirollogarinë e “Fond de R. Kosova” në Prishtinë, në NLB, shumën prej 90,380,00 euro, ka tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën me asnjë dëshmi nuk e ka arsyetuar se për çfarë qëllime i ka shfrytëzuar, me këtë e ka dëmtuar buxhetin e Fondit 3%, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Kosovës, në shumë prej 90,830,00 euro, po ashtu edhe shumën prej 3,500 euro, paguar për bileta, Ingrid Steiner Gashi, me 26 gusht 2019, që nuk dihet kush është, por jo punëtore e UFORK-ut.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm.

Tutje, PSRK i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi se gjatë periudhës kohore 2006-2015, në bashkëkryerje me njëri-tjetrin, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, e kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë, e cila u është besuar atyre, ashtu që qytetarët e Republikës së Kosovës, të punësuar jashtë Kosovës, kanë kontribuar me mjete monetare në fondin 3%, duke parë nevojën për ta ndihmuar Kosovën, e cila në atë kohë ishte në kushte shumë të vështira ekonomike, duke dhënë donacione secili sipas mundësive të veta nga 3% deri në 10%, para këto së fundmi transferuar në xhirollogarinë e OJQ UFORK, në Prishtinë, në BPB shumën prej 154,132,47 euro, i kanë tërhequr me para në dorë (kesh) të cilën shumë me asnjë dëshmi nuk e kanë arsyetuar se për çfarë qëllime i kanë shfrytëzuar, duke mos e realizuar asnjë projekt, e me këtë e kanë dëmtuar buxhetin e Fondit 3% – UFORK-ut, e njëherësh edhe bashkatdhetarët e Republikës së Kosovës, në shumë prej 154,132,47 euro.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të vjetër Penal të Kosovës, si ligj më i favorshëm, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në dispozitivin e tretë të aktakuzës, Bujar Bukoshi, akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2015, në cilësinë e personit përgjegjës, kryetar i Bordit të “UFORK-ut” dhe si i punësuar aty, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave të cilat ka qenë i obliguar që t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, dhe shuma e shmangies nga i akuzuari është 39,932,04 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Bujar Bukoshi se ka kryer veprën penale “Shmangia nga tatimi”, nga neni 249, par.2 lidhur me par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Në dispozitivin e katërt, Naser Osmani akuzohet se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht, pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave dhe të të hyrave të tjera, e të cilat ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklaron në ATK, si pasojë është dëmtuar buxheti i ATK-së – Republikës së Kosovës, me 3510 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Naser Osmani se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se në periudhën kohore prej vitit 2008-2013, në cilësinë e personit të punësuar në “UFORK”, me qëllim të shmangies pjesërisht apo tërësisht pagesës së tatimit, tarifave apo kontributeve të tjera që kërkohen me ligj, nuk i ka përfshirë të dhënat lidhur me të ardhurat e tij të fituara përmes transaksioneve, në emër të pagave, dhe të hyrave të tjera, i njëjti ka qenë i obliguar që këto të ardhura t’i deklarojë në Administratën Tatimore të Kosovës, shumë e shmangies nga i akuzuari është 2667.30 euro.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Atdhe Gashi, se ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi”, nga neni 249, par.1 të Kodit të Vjetër Penal, si ligj më i favorshëm (KPK).

Po ashtu, prokurori i Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës, Atdhe Demaj, më 30 nëntor 2018 kishte dorëzuar në gjykatë një parashtresë, përmes së cilës kishte bërë plotësimin dhe qartësimin e aktakuzës së ngritur më 28 prill 2017.

Sipas kësaj parashtrese, dispozitivi nën pikën II të aktakuzës, është plotësuar ashtu që tani të akuzuarit Bujar Bukoshi- kryetar i Bordit të UFORK, me seli në Prishtinë, Naser Osmani në cilësinë e anëtarit të bordit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, dhe Atdhe Gashi në cilësinë e arkëtarit të OJQ “UFORK” në Prishtinë, në vazhdimësi, përgjatë periudhës kohore 2006 deri 2015, në bashkëkryerje, me qëllim për t’i sjellë vetes apo tjetrit dobi pasurore të kundërligjshme, kanë përvetësuar pasurinë e luajtshme të personave tjerë që u është besuar atyre, qytetarë të Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera, kontribuues në fondin e themeluar atëbotë për financim të strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, shuma këto prej minimum 3% të të hyrave të të tyre personale mujore, e të cilat janë transferuar në xhirollogarinë e “UFORK”, në Bankën “BPB” në Prishtinë, ashtu që kanë tërhequr shumën prej 154,132,47 euro në kesh, nuk kanë arsyetuar dhe as dëshmuar qëllimin e tërheqjes së kësaj shume, vlerësim dhe konstatim ky i vërtetuar me ekspertizën e datës 21 prill 2017.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi”, nga neni 257, par.3 lidhur me par.1 të Kodit të Përkohshëm Penal të Republikës së Kosovës.

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Të ngjashme