OpEd
Foluni fëmijëve për gjyshërit!
Demokracia
10:01 | 18 Shtator 2023

Share:

Është një pyetje që ndoshta gjithnjë e më rrallë ua bëjmë fëmijëve tanë: A e dini se gjyshërit nuk janë vetëm prindërit e prindërve, por edhe një histori dhe përvojë më vete, që ja vlen ta njohësh, edhe kur duket se gjërat nuk kanë shkuar siç duhet, edhe kur ata nuk kanë diçka të suksesshme për të treguar, edhe kur nuk ka diçka heroike?

Nga Agim Baçi

Në fakt, po të shohim lajmet, po të ndjekim shqetësimet e gjyshërve dhe të mësuesve të fëmijëve tanë, mund të kuptojmë shpejt se pothuajse të gjithë jemi dorëzuar si prindër nga pak nga përpara kërkesave të pafundme nga ana e fëmijëve për veshje, për pajisje elektronike, për udhëtime, për teka pa fund – pra për gjithçka materiale. Në nxitim të përditshmërisë sonë, shumë pak u flasim atyre për jetën tonë të mëparshme, për atë që kemi dashur e që jeta na dha një leksion ndryshe nga ai që menduam apo ëndërruam. U kërkojmë shumë pak të komunikojnë me gjyshërit, e aq më pak edhe me fqinjët. “Shko në shtëpi, laj dritaret, mëso të gatuash, ndërto diçka, gjej një punë, vizito një të sëmurë, bëj detyrat e shkollës dhe pasi t’i kesh mbaruar, lexo një libër. Vendi yt nuk detyrohet të të sigurojë ambiente çlodhëse dhe as prindërit nuk e kanë për detyrë vetëm të të argëtojnë. Bota nuk të detyrohet asgjë, duhet ta fitosh vetë jetën. Ti i detyrohesh botës diçka”, shkruante disa kohë më parë drejtori i North College në Zelandën e Re, John Tapene, teksa u kërkonte të rinjve të vendit të tij që të hiqnin dorë nga argëtimet e pa kuptimta e të shihnin nga e ardhmja. Por kjo çështje e ngritur nga neozelandezi Tapene, si një person që kontakton çdo ditë me nxënësit, prej kohësh është ngritur edhe nga psikologë dhe filozofë. Kështu, neuropsikologu i famshëm grek, Nikos Sideris, në librin e tij lidhur me komunikimin me fëmijët, shprehet se duhet të jenë prindërit ata që duhet t’u tregojnë fëmijëve atë që mundet dhe atë që nuk mundet apo që nuk duhet ta kenë, si dhe të jenë gjykues ndaj asaj që shfaqin fëmijët në përditshmërinë e tyre. “Është e dëmshme për vetë fëmijën, nëse imagjinata e tyre do të diktojë qëndrimin e prindërve”, shprehet Sideris, duke kërkuar nga prindërit që bashkëbisedimin me fëmijët e tyre ta shikojnë edhe si një bashkëbisedim me veten, si një rritje tjetër.

Ndërkaq, filozofi spanjoll Fernando Savater sugjeron që t’u mësojmë fëmijëve se pasojat që vijnë nga liria për të vepruar nuk mund të mohohen apo zhduken sipas qejfit. Sipas Savater, Liria nuk është për të pasur çdo gjë, por për të pranuar pasojat në të mirë apo në të keq, në varësi të asaj që na ka ndodhur apo që nuk arritëm të bënim. Ky moskomunikim ka bërë që prindërit dhe fëmijët e sotëm të mos diskutojnë asgjë, madje as ato gjëra, të cilat i prekin çdo ditë apo do t’i prekin në të ardhmen, sidomos kur të jenë në pleqërinë e tyre.

Duhet ta pranojmë që kjo sfidë nuk është aspak e lehtë por, të paktën, ne kemi detyrë t’i inkurajojmë fëmijët që të guxojnë të gjejnë rrugën e tyre, duke marrë përsipër detyrimet e tyre për një jetë dinjitoze. T’u mësojmë se të gabosh është njerëzore, por që të kërkosh falje është edhe më njerëzore. T’u mësojmë se udhëkryqet në jetë merren kur ke një dorë pranë, kur mundesh që të shohësh tjetrin në sy, dhe kur e kupton që je pjesë e një shoqërie ku ke detyrimet e tua për ta bërë më të mirë. E sidomos t’u themi se, jeta pa dorën drejt tjetrit, pa dorën drejt gjyshërve, rrezikon të ketë pasojë vetëm vetminë dhe zhgënjimin, transmeton Demokracia.

Të ngjashme
OpEd • 29 Maj 2024