Lajme
Foli për skandalin e ministres Gërvalla, konsulli Gramos Begolli urdhërohet të kthehet menjëherë në Kosovë
Demokracia
16:47 | 15 Mars 2022

Share:

Gramos Begolli, ish-Konsull i Përgjithshëm në Hamburg, i liruar nga detyra, por që do të qëndronte në mision deri në fund të këtij muaji pasi i bëri publike sjelljet skandaloze të ministres Donika Gërvalla, sot ka marrë një vendim që menjëherë të kthehet në Kosovë.

Demokracia.com kishte raportuar më datë 18 shkurt, se si ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla kishte shkuar pa paralajmërim në Konsullatën e Kosovës në Hamburg në shënimin e përvjetorit të 14 të Pavarësisë së Kosovës dhe e kishte shkatërruar këtë event me sjellje jo të mira.

Në vendimin, të cilin e ka siguruar Televizioni 7, thuhet se, në zbatim të dekretit të nënshkruar nga Presidentja më 7 shkurt, Begolli kthehet menjëherë nga misioni.

Gërvalla, në përvjetorin e 14-të të shpalljes së pavarësisë në Kosovë ka shkuar në Gjermani për t’u siguruar se miku i saj dhe i Listës Guxo, Muhamet Idrizi, të mbajë fjalim në Konsullatën e Kosovës në Hamburg. Në këtë mënyrë, Gërvalla-Schwarz ka shkaktuar incident të rëndë.

Ministrja e Jashtme pa ndonjë paralajmërim kishte shkuar në festën për shënimin e 14 vjetorit të pavarësisë të organizuar nga Konsullata në Hamburg dhe ka thyer protokollin, shkruan Demokracia.com.

Madje, ajo nuk kishte lejuar në këtë ngjarje të flasë Konsulli i Përgjithshëm në largim, Gramos Begolli. Gërvalla në mënyrë arbitrare ia ka marrë të drejtën e fjalës konsullit Begolli.

Kryediplomatja Gërvalla për më tepër kishte urdhëruar që të pranishmëve në këtë ndejë t’u drejtohet miku i saj dhe partisë që ajo udhëheq Listës Guxo, Muhamet Idrizi.

Pas këtij skandali, konsulli Begolli i ishte drejtuar me një letër kryeministrit Albin Kurti, kryeparlamentarit Glauk Konjufca dhe Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës.

Demokracia.com nga burime brenda Kuvendit të Kosovës ka arritur të sigurojë letrën në të cilën Begolli ankohen për sjellje të pahijshme të ministres Gërvalla-Schwarz.

Në letrën e tij, konsulli Begolli i ka njoftuar udhëheqësit e shtetit sesi një natë më parë gjatë ceremonisë së organizuar për nder të Ditës së Pavarësisë, një person që ka pretenduar se është ministrja Gërvalla i ka shkruar atij në “Whatsapp” dhe i ka kërkuar që në listën e të ftuarve dhe folësve të futet edhe miku i saj Muhamet Idrizi.

“Një ditë para mbajtjes së eventit, në ora 19:17 unë kam pranuar një mesazh përmes Whatsapp-it ku thuhej se ‘Unë jam Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj. Donika Gërvalla dhe kërkoi nga ju përfshirjen e një personi të komunitetit shqiptarë në listë (Muhamet Idrizit), si dhe të kërkojë falje për mospërfshirjen e një personi të komunitetit shqiptar në listën e të ftuarve’. Personi në fjalë udhëheq një shoqatë shqiptare dhe është i afërt me zonjën Gërvalla dhe Listën Guxo”, shkruan Begolli në letrën e siguruar nga Demokracia.com.

Begolli, po ashtu, ka treguar se ka kërkuar konfirmim nga ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, si dhe nga sekretari i MPJD-së që t’i vërtetohet nëse numri është i ministres Gërvalla. Begolli në këtë letër ka thënë se ministrja e Jashtme me këtë rast ka shkelur protokollin e Republikës së Gjermanisë, por edhe të Kosovës.

“Të nesërmen ministrja Gërvalla shfaqet në ambientet e Konsullatës duke injoruar tërësisht protokollin zyrtar, i cili është i domosdoshme të respektohet gjatë vizitave të nivelit të lartë. Në këtë mënyrë është shkelur protokolli diplomatik në relacionin me shtetin mik të Gjermanisë. Më pas, unë u ftova për një bisedë në zyrë, me ç’rast ministrja më akuzoi për dëgjueshmëri dhe më tha se unë nuk do të flas në event, por do të flet vet ministrja si dhe Muhamet Idrizi. Përmes këtyre veprimeve ministrja e shndërroi një event të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës në një event partiak privat”, theksonte Begolli, raporton Demokracia.com.

Për më tepër, ai ankohej se nga lista e të ftuarve është larguar një diplomat i akredituar dhe në vend të tij është futur mbështetësi i Listës Guxo.

“Ajo (ministrja Gërvalla) hoqi nga agjenda e eventit një diplomat të akredituar dhe përfaqësues të institucioneve dhe e zëvendësoi me një aktivist partiak. Për më tepër, ministrja erdhi në Gjermani duke shkelur protokollin e shtetit të Gjermanisë si dhe atë të Kosovës, duke udhëtuar në mënyrë private për të marrë pjesë në një event zyrtarisht të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, kishte shkruar tutje Begolli.

Letra e plotë e Konsullit, Begolli:

I nderuar Kryeministër z.Kurti

I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Konjufca

Po ju shkruaj për të përcejllur shqetësimet në lidhje me zhvillimet rreth organizimit të përvjetorit të 14-të të pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Konsullata e Përgjithshme në Hamburg.
Në përputhje me protokollin dhe kufizimet e shkaktuara nga pandemia Covid-19 unë si Konsull  i Përgjithshëm bëra përgatitjet e nevojshme për organizimin e këtij eventi me 50 pjesëmarrës.
Duke marrë parasysh rrjetin e gjerë diplomatik që ka Konsullata si dhe komunitetin e madh shqiptar që jeton këtu, krijimi i listës finale prej 50 personave nuk ishte detyrë e lehtë. Kështu që prioritet I është dhënë rëndësisë dhe integritetit të personaliteteve të ftuara për Konsullatën.

Një ditë para mbajtjes së eventit, në ora 19:17 unë kam pranuar një mesazh përmes Whatsapp ku thuhej se unë jam Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë, znj. Donika Gërvalla dhe kërkoi nga ju përfshirjen e një personi të komunitetit shqiptarë në listë (Muhamet Idrizit), si dhe të kërkojë falje për mospërfshirjen e një personi të komunitetit shqiptar në listën e të ftuarve. Personi në fjalë udhëheq një shoqatë shqiptare dhe është u afërt me znj,. Gërvalla dhe Listën Guxo.

Unë shkrova prapë në atë numër dhe kërkova që të gjitha kërkesat zyrtare bëhen përmes rrjeteve zyrtare të komunikimit sipas rregulloreve në fuqi.
Gjithashtu, kërkova nga Ambasadori i Republikës së Kosovës në Gjermani dhe Sekretari I Përgjithshëm i MPJD-s, konfirmimin që numri I cili më ka dërguar mesazhin në Whatsapp është me të vërtet i ministres.

Të nesërmen ministrja Gërvalla shfaqet në ambientet e Konsullatës duke injoruar tërësisht protokollin zyrtar të cilin është e domosdoshme të respektohet gjatë vizitave të nivelit të lartë.
Në këtë mënyrë është shkelur protokolli diplomatik në relacionin me shtetin mik të Gjermanisë,

Më pas, unë u ftova për një bisedë në zyrë, me ç’rast ministrja më akuzoi për dëgjueshmëri dhe më tha se unë nuk do të flas në event por do të flet vet ministrja si dhe Muhamet Idrizi.
Përmes këtyre veprimeve ministrja e shndërroi një event të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës në një event partiak privat.

Ajo hoqi nga agjenda e eventit një diplomat të akredituar dhe përfaqësues të institucioneve dhe e zëvendësoi me një aktivist partiak. Për më tepër, Ministrja erdhi në Gjermani duke shkelur protokollin e shtetit të Gjermanisë si dhe atë të Kosovës duke udhëtuar në mënyrë private për të ,arrë pjesë në një event zyrtarisht të organizuar nga institucionet e Republikës së Kosovës.
E gjithë kjo në përvjetorin e 14-të të Pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Unë jam i gatshëm të raportojë para të gjitha instancave shtetërore për këtë incident.

Sinqerisht, Gramos Begolli.

Të ngjashme