Në një komunikatë të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), perspektiva ekonomike e Kosovës për vitin 2023 është përshkruar me një përzierje optimizmi dhe faktorësh negativë që mund të kërcënojnë stabilitetin ekonomik të vendit. Ndërkohë që FMN-ja projektoi një zgjerim modest ekonomik dhe ulje të inflacionit, hija e krizës si shkak-pasojë e tensioneve gjeopolitike dhe tensioneve të vazhdueshme në veriun e Kosovës duket e madhe.
Zëvendës shefi i divizionit në Njësinë e Ekonomive në Zhvillim të FMN-së, zoti Gabriel Di Bella, njoftoi se FMN pret që ekonomia e Kosovës të rritet me 3.5–4 përqind në vitin 2023, nxitur nga investimet dhe kërkesa e jashtme, veçanërisht në sektorin e shërbimeve.
“Aktiviteti në vitin 2023 parashikohet të zgjerohet me 3,5–4 për qind, i nxitur nga investimet më të forta dhe kërkesa e jashtme, veçanërisht për shërbime”, thuhet aty.
FMN parashikoi gjithashtu një ulje të inflacionit mesatar në 4-5 për qind për shkak të rënies së çmimeve të ushqimeve dhe energjisë. “Me ngadalësimin e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, inflacioni mesatar pritet të bjerë këtë vit në 4–5 përqind”, thuhet më tej në deklaratë.
Megjithatë, një nga shqetësimet më urgjente të theksuara në deklaratën për shtyp është paqëndrueshmëria e vazhdueshme globale dhe tensionet gjeopolitike që paraqesin rreziqe të konsiderueshme.
Në deklaratën e Fondit Monetar është theksuar shqetësimi për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës. të cilat – thuhet aty – kanë shtyrë disa partnerë ndërkombëtarë të zbatojnë “masa të përkohshme dhe të kthyeshme që synojnë të promovojnë de-përshkallëzimin”.
Përderisa këto masa nuk pritet të kenë ndikim të menjëhershëm në perspektivat ekonomike afatshkurtra të Kosovës, kreditori ndërkombëtar ka paralajmëruar për potencialin e pasojave afatgjata.
“Tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës kanë shtyrë disa partnerë ndërkombëtarë të zbatojnë masa të përkohshme dhe të kthyeshme që synojnë të promovojnë de-përshkallëzimin. Masat nuk kanë gjasa të ndikojnë në perspektivën afatshkurtër, por ato mund të ndikojnë në performancën nëse qëndrojnë për një kohë të gjatë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e FMN-së.
Në fund, FMN-ja ka vlerësuar përpjekjet e qeverisë së Kosovës për të mbajtur politika të kujdesshme fiskale dhe financiare. “Autoritetet kanë vazhduar të zbatojnë politika të kujdesshme fiskale dhe financiare dhe kanë bërë përparim të mirë në zbatimin e axhendës së tyre të politikave sipas marrëveshjeve të mbështetura nga Fondi”, thuhet aty.