Lajme
FMN-ja me ekip në Kosovë: Donatorë e partnerë e zvogëluan bashkëpunimin, masat mund ta prekin zhvillimin ekonomik
Demokracia
18:41 | 09 Gusht 2023

Share:

Një ekip i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka qëndruar në Kosovë nga 31 korriku deri më katër gusht, i kryesuar nga Gabriel Di Bella. Gjatë vizitës janë përcjellur e diskutuar zhvillimet e fundit, ndërsa në komunikatën e publikuar, përmenden edhe masat e vendosura nga Bashkimi Evropian dhe ndikimi i tyre. Çfarë u tha?

Kushtet makroekonomike, sipas FMN-së, kanë mbetur të favorshme përgjatë këtij viti, deri më tani. Sipas komunikatës, inflacioni ka rënë dhe të ardhurat fiskale po rriten me “ritme të shëndetshme”.

Por, aty bëhet e ditur qartë se paqëndrueshmëria dhe tensionet në pjesën veriore të vendit, mbesin rrezik.

FMN ka përmendur se zhvillimet në veri të Kosovës, çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme të vendosura nga Bashkimi Evropian.

“Mes një konteksti sfidues global, kushtet makroekonomike në Kosovë kanë mbetur të favorshme deri më tani në vitin 2023. Rritja mbetet elastike, inflacioni vazhdon të bjerë dhe deficiti i llogarisë korrente ka filluar të ngushtohet. Të ardhurat fiskale vazhdojnë të rriten me ritme të shëndetshme, zbatimi i programit të investimeve publike është rritur dhe buferët fiskalë kanë mbetur në nivelet e duhura. Megjithatë, paqëndrueshmëria dhe tensionet e ngritura globale në Kosovën veriore mbeten rreziqe për perspektivën që nëse materializohen mund të shtojnë sfidat e politikave”, thuhet në njoftim.

Mes tjerash theksohet se disa “donator dhe partner tradicionalë” kufizuan bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiare.

Tutje FMN paralajmëron se këto masa nuk pritet të ndikojnë nëse kthehen në afat shkurtër, por mund të bëhen pengesë për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik nëse vazhdojnë edhe më tutje.

“Në veçanti, zhvillimet e fundit në katër komunat veriore çuan në masa të përkohshme dhe të kthyeshme nga disa donatorë dhe partnerë tradicionalë që kufizojnë bashkëpunimin e ri ekonomik dhe financiar. Ndërsa këto masa nuk pritet të ndikojnë në perspektivën nëse kthehen në afat të shkurtër, ato mund të bëhen pengesë për investimet e huaja direkte dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi, nëse qëndrojnë për një kohë më të gjatë.”

Ndërkohë, në fund të komunikatës përmendet se ekipi takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti, zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, zëvendësguvernatorin në detyrë, Bashkim Nurboja, ministrin e Financave, Hekuran Murati, ministren e Ekonomisë Artane Rizvanolli e zyrtarë të tjerë të lartë.

 

Të ngjashme