Intervista
Flet prorektorja e UP-së: 2300 maturantë aplikuan vetëm në ditën e parë, konkursi është për 5497 studentë
Demokracia
18:46 | 12 Korrik 2022

Share:

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” e ka shpallur sot konkursin për pranimin në studimet themelore për 5 mijë e 497 studentë të rinj për vitin akademik 2022/23. 

Duket se edhe këtë vit interesimi i të rinjve kosovarë që të bëhen pjesë e universitetit publik në kryeqytet është jashtëzakonisht i madh.

Vetëm në ditën e parë në UP kanë aplikuar rreth 2 mijë e 300 maturantë.

Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për Demokracia.com, Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje të studentëve.

“Ajo që mund të themi nga dita e parë e aplikimit dhe sipas statistikave të aplikimit online, sot deri në orën 16:00 kanë aplikuar rreth 2 mijë e 300 maturantë. Pra, është një numër i konsiderueshëm i aplikimeve. Këto aplikime janë të fokusuara në Fakultetin e Mjekësisë, në programet Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji, Infermieri. Pastaj kemi një numër të caktuar të aplikimeve në programin Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, në Arkitekturë, në Psikologji, në Gjuhë dhe Letërsi Angleze e Gjermane. Pra, bazuar në statistikat e ditës së parë të aplikimit, orientimi është i ngjashëm si në vitin paraprak”, ka thënë prorektorja Ibrani për Demokracia.com.

Në këtë intervistë, Ibrani ka folur edhe për programet që ofron UP-ja për studentët e rinj, arsyet pse këtë vit është zvogëluar numri i studentëve dhe një konkurs të ri për dy programe që po presin “dritën e gjelbër” nga Agjencia për Akreditim.

Prorektorja Ibrani u ka bërë thirrje studentëve që të bëhen pjesë e UP-së, pasi që sipas saj është universiteti më i mirë në trevat shqiptare.

“Uroj që maturantëve t’u përmbushen kërkesat dhe të jenë pjesë e universitetit më të mirë në trevat shqipfolëse dhe kjo nuk është vetëvlerësim, por konfirmim nga sistemet e rangimit ndërkombëtar”, ka thënë ajo.

Demokracia.com: Universiteti i Prishtinës ‘Hasan Prishtina” sot ka hapur konkursin për pranimin e 5 mijë e 497 studentëve më studimet themelore për vitin akademik 2022/23. Çka u ofron UP studentëve të rinj dhe a keni ndonjë program të ri këtë vit?

Mimoza Ibrani: Universiteti i Prishtinës sot ka hapur konkursin për pranimin e studentëve në vitin të studimeve bachelor akademik 2022-2023. Në afatin e parë të konkursit është paraparë regjistrimi i 5 mijë e 497 studentëve dhe në këtë numër janë paraparë edhe kuotat për komunitetet jo-shumicë, si dhe kuotat për studentët që vijnë nga Shqipëria, Mali i Zi, Bujanoci, Presheva, Medvegja. Universiteti i Prishtinës ofron mbi 70 programe të studimit të akredituara. Në vitet paraprake, ndër programet më të kërkuara kanë qenë programet e Fakultetit të Mjekësisë, konkretisht programi Mjekësi e Përgjithshme. Risi e këtij viti akademik është që në Mjekësinë e Përgjithshme me akreditimin e ri janë paraparë rreth 200 vende të lira për studentë. Risi është edhe akreditimi i programit Elektroenergjetikë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike. Po ashtu, janë të parapara edhe afatet e ankimimit dhe afatet e shpalljes së rezultateve preliminare dhe përfundimtare.

Demokracia.com: Çfarë ka bërë Universiteti i Prishtinës që studentët të orientohen në programe të studimit të cilat janë më të mira për tregun e punës?

Mimoza Ibrani: Këtë vit akademik, por edhe më herët kemi organizuar promovime për maturantët në shkollat e mesme të Republikës së Kosovës, por edhe jashtë saj. Dhe, po ashtu, në rrjetet tona sociale kemi promovuar programet e studimit, mundësitë e zhvillimit në karrierave, punësimin. Njësitë akademike janë kujdesur që të promovojnë storie suksesi për programet e caktuara akademike dhe kanë organizuar sesione informuese për maturantët të cilët kanë qenë të interesuar ta vizitojnë Universitetin e Prishtinës dhe të njihen për së afërmi me infrastrukturën e profesorët. Pra, kemi punuar në promovimin e programeve të studimit dhe ajo që mund të themi nga dita e parë e aplikimit dhe sipas statistikave të aplikimit online, sot deri në orën 16:00 kanë aplikuar rreth 2 mijë e 300 maturantë. Pra është një numër i konsiderueshëm i aplikimeve. Këto aplikime janë të fokusuara në Fakultetin e Mjekësisë, në programet Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologji, Infermieri. Pastaj kemi një numër të caktuar të aplikimeve në programin Inxhinieri Kompjuterike dhe Softuerike, në Arkitekturë, në Psikologji, në Gjuhë dhe Letërsi Angleze e Gjermane. Pra, bazuar në statistikat e ditës së parë të aplikimit, orientimi është i ngjashëm si në vitin paraprak.

Demokracia.com: A ofron universiteti mbështetje më të madhe për studentët në programet deficitare?

Mimoza Ibrani: Në Universitetin e Prishtinës janë të përcaktuara kriteret financiare, përkatësisht në ofrimin e bursave për studentët dhe këto janë kritere meritokratike. Pra, bazohen në notën mesatare e mospërsëritjen e vitit. Nuk kemi mbështetje financiare për studentët që studiojnë në programe deficitare. Mbase në nivel vendi mund të ketë nisma e iniciativa të tilla, mirëpo universiteti nuk i prioretizon studentët e një programi të caktuar. Ndarja e bursave bëhet në bazë të kritereve meritokratike.

Demokracia.com: Këtë vit akademik, UP do të pranojë 5497 studentë. Krahasuar me dy vitet paraprake i bie që është zvogëluar numri i studentëve që do të pranohen. Në vitin 2021, në UP janë pranuar 6247 studentë, kurse një vit më parë 7136. Pse janë zvogëluar kuotat?

Mimoza Ibrani: Kemi parasysh dy fakte. I pari për programet e studimit Gjeografi dhe Fizikë. Edhe pse kemi pranuar raportin pozitiv, Këshilli Shtetëror i Cilësisë ende nuk i ka trajtuar këto programe. Besojmë që në mbledhjen e radhës që do të mbahet nesër do t’i trajtojnë dhe do të shpallim konkurs për këto dy programe. Po ashtu, ne kemi kërkuar nga MASHTI numër më të madh të kuotave për Fakultetin Juridik dhe Ekonomik, por është miratuar një numër më i vogël sesa e kemi kërkuar, prandaj ka rezultuar që në këtë konkurs të ketë vend për 5 mijë e 497 studentë të rregullt.

Demokracia.com: Cila është thirrja juaj për maturantët që do të duan të jenë pjesë e UP-së? 

Mimoza Ibrani: Uroj që maturantëve t’u përmbushen kërkesat dhe të jenë pjesë e universitetit më të mirë në trevat shqipfolëse. Dhe kjo jo nuk është vetëvlerësim, por konfirmim nga sistemet e rangimit ndërkombëtar. /Demokracia.com/

Të ngjashme