Mexhid Rashiti, 26 vjeçar nga Gjilani, po konsiderohet si hero nga mediat zvicerane, pasi ai i shpëtoi jetën një gruaje të moshuar me prejardhje serbe në Gjenevë, duke e rrezikuar jetën e tij.
I riu gjilanas, Mexhid Reshiti, ditë më parë kishte parë tym që po dilte nga një banesë dhe kishte dëgjuar thirrjet për ndihmë nga një grua. Pa u menduar fare, ai kishte hyrë mes flakëve dhe tymit për ta shpëtuar Ivanën, një grua serbe.
Demokracia.com ka biseduar me të riun gjilanas, Mexhid Rashiti, i cili ka afër katër vite që jeton në Gjenevë.
Ai ka thënë se ndjehet mirë që ka arritur ta shpëtojë një jetë dhe nuk është e rëndësishme se çfarë nacionaliteti është gruaja që ai ia shpëtoi jetën.
“Jam shumë mirë. Ndjehem mirë. Arsyeja ime ka qenë me shpëtu jetë. Kam shku e kam pa atë. Nuk e kam ditur çfarë nacionaliteti është. Pa marrë parasysh, ke qysh ke, arsyeja jem ka qenë me shpëtu jetë”, ka thënë Mexhid Rashiti për Demokracia.com.
Rashiti ka treguar se pasi ia shpëtoi jetën e ka vizituar të moshuarën me prejardhje serbe edhe në spital.
“Kam shku e kam pa. Ajo më ka tregu që është serbe. Unë e kam bërë këtë gjest për të shpëtuar jetë. Ajo e ka pritur shumë mirë. Më ka falënderuar për gjithçka. Jam krenar që jam shqiptar dhe që e kam bërë këtë gjest për shpirtin tim”, ka shtuar Rashiti.
Ai ka thënë se nuk e ka menduar rrezikun që i kanosej dhe pa menduar është futur në zjarr për të shpëtuar jetën e njerëzve që ishin në objektin që po digjej.
“Ka qenë rrezik, por në ato momente nuk e kam mendu. Më kanë thënë që ka njerëz. E kam pa zjarrin. Kam hyrë brenda dhe e kam marrë atë gruan”, ka treguar ai.
Rashiti ka treguar për Demokracia.com se nuk është lënduar aspak nga kjo ndërhyrje.
“Jo, unë nuk jam lënduar. Kam qenë i kujdesshëm edhe e kam qit atë gruan te dritarja. Ka pasur aty njerëz që nuk kanë ardh mem ndihmu. Kam dalë te dera kryesore, e kam marrë një bocë edhe kam dalë jashtë e kam kap atë zonjën e kemi hip në ambulancë”, është shprehur ai.
Rashiti ka treguar se në Zvicër jeton qe tri vjet e gjysmë dhe nuk ka dokumentacion të rregullt. /Demokracia.com/