Lajme
Flet drejtori që u lag me ujë nga asamblisti i LDK-së: Kjo tregon gjendjen se ku ka degraduar kjo parti
Demokracia
15:23 | 20 Maj 2022

Share:

Jo veç seancat e Kuvendit të Kosovës prodhojnë lajme sensacionale. Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal të Podujevës, asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmani, e ka lagur me ujë Drejtorin e Arsimit të kësaj komune nga Vetëvendosje, Avni Fetahun.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Podujevës, që u lag me ujë nga asamblisti i LDK-së, Avni Fetahu, për Demokracia.com ka treguar në detaje për rastin e ndodhur në këtë seancë.

“Sot është thirrur një seancë e jashtëzakonshme prej grupit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe kjo seancë ka qenë e paraparë të mbahet edhe si e rregullt, edhe e planifikuar për raportim për arsim. Unë si Drejtor i Arsimit dhe asamblistët e Vetëvendosjes, duke ia mundësuar që të kenë edhe kuorum ata për një gjë të tillë, as fare nuk ju ka përmendur emri personit në fjalë që hodhi ujë ndaj meje, mirëpo e bëri atë veprim pikërisht në rendin e ditës ku po diskutohej për arsim dhe për rëndësinë sesi do të jemi të arsimuar”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Fetahu këtë sjellje të Rrahmanit e ka lidhur me inate politike, sepse dikur ai ishte pjesë e LDK-së dhe  njëri nga më të votuarit.

“Janë disa inate, sigurisht politike dhe unë i kuptoj ato. Para dy viteve unë kam qenë në LDK, kam dalë në subjektin e Vetëvendosjes. Kam qenë personi më i votuar në LDK dhe tani në VV kjo sigurisht që ka krijuar njëfarë armiqësie ndoshta politike. Mirëpo, unë kam qenë i përmbajtur, kam dhënë argumentet e mia dhe në përfundim të argumenteve ata kanë bërë një gjest të pahijshëm”, tha tutje ai për Demokracia.com.

Fetahu shtoi se asamblisti që i hodhi ujë është njeri i afërt me kryetarin e Degës së LDK-së në Podujevë, Ekrem Hysenin.

“Është veprim jo i duhur. Veprim që tregon dhe shpërfaq fytyrën e vërtetë të LDK-së këtu. Personi në fjalë është asamblist, anëtar i kryesisë dhe njeriu i afërt i ‘dokit’ të tyre të famshëm që e kanë dr.Ekrem Hyseni. Kjo tregon gjendjen politike se në çfarë janë ra si subjekt politik”, ka thënë Fetahu.          /Demokracia.com/

Të ngjashme