Intervista
Flet deputeti shqiptar në Zvicër: Politikanët kosovarë të mirë në retorikë, u mungojnë idetë reale liberale
Demokracia
10:33 | 07 Maj 2022

Share:

Korab Rashiti është shqiptari i parë që u zgjodh deputet në Kantonin e Bernës dhe pa diskutim, i pari shqiptaro-zviceran në gjithë Zvicrën që zgjidhet nga radhët e partisë SVP/UDC, një nga partitë më të mëdha në kanton.

Rashiti që është me prejardhje shqiptare ka lindur në Zvicër, megjithatë babai i tij kishte emigruar nga Kosova për në Zvicër në vitet 80-ta, pasi po përndiqej nga policia serbe për shkak të aktivitetit të tij.

Ai thotë se babai i tij ishte larguar për në Zvicër përkohësisht, por pas ngjarjeve nuk mund të kthehej për gati dy dekada në Kosovë.

“Babai im ka qenë veprimtar i viteve të 80-ta, pas kryengritjeve të para kundër regjimit serb dhe për mbrojtjen e lirisë, për më tepër është i njohur për angazhimin e tij për liri. Ismet Rashiti, babai im u largua se po e kërkonte policia serbe për aktivizimin e tij. I larguar për në Zvicër përkohësisht dhe pas ngjarjeve nuk mund të kthehej për gati dy dekada”, ka thënë Rashiti për Demokracia.com.

Rashiti tregon se është i pasionuar pas politikës, prandaj beson se angazhimi i tij bëri që të zgjidhej deputet në Kantonin e Bernës.

“Në të vërtetë, unë jam i pari që u bëra deputet i Kantonit të Bernës me partinë më të madhe në kanton, që ka një shumicë parlamentare, por edhe ekzekutive. Unë jam i pasionuar pas politikës dhe besoj se ishte angazhimi im që më zgjodhi përfundimisht”, ka thënë Rashiti për Demokracia.com.

Por, sa ishte e vështirë ngritja në karrierë deri tek Parlamenti i Kantonit të Bernës, duke pasur parasysh faktin se i përkiste komunitetit jo-zviceran?

Rashiti thotë se çelësi i suksesit në politikën zvicerane qëndron në konsensusin politik.

“Çelësi i suksesit në politikën zvicerane qëndron në të qenit në konsensus politik, duke qenë i motivuar nga ideja liberale, dija të sillja në ballë të votuesve idetë që kanë bërë suksesin dhe prosperitetin e Zvicrës. Unë jam zgjedhur me një parti të klasës së mesme të përkushtuar ndaj lirisë individuale. Kërkohej shumë punë pedagogjike nga unë për të bërë të njohura idetë liberale”, ka thënë ai për Demokracia.com.

Rashiti thotë se është zgjedhur deputet me një program liberal, prandaj konsideron se duhet mbrojtur të drejtat e të gjithëve, përfshirë edhe ato të komunitetit shqiptar në Zvicër.

Unë jam zgjedhur me një program liberal dhe nuk dua të mbroj apo promovoj një komunitet të caktuar, por të mbroj të drejtat e të gjithë individëve. Megjithatë, unë shoh sinergji në fushën ekonomike midis kantonit të Bernës, veçanërisht duke forcuar shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve. Kjo lloj nisme do të sjellë përfitime të konsiderueshme për të dy popullatat”, shton tutje ai.

Rashiti për Demokracia.com ka rrëfyer sesi ai ka marrë një mbështetje të madhe nga komuniteti shqiptar në Zvicër, duke shtuar se ata e kanë kuptuar plotësisht avantazhin e të pasurit një përfaqësues liberal për ta dhe sipas tij, ata i kuptojnë pasojat pozitive që kjo do të sjellë.

Rashiti thotë se komuniteti zvicerano-shqiptar në Zvicër dhe më saktë në kantonin e Bernës duhet të kuptojë se nuk duhet të mbeten spektatorë, por aktorë në vendimet sociopolitike.

“Dua të shtoj akoma se zvicerano-shqiptarët janë tashmë shumë mirë të integruar në Zvicër dhe se të flasësh për integrim në një kohë kur fillon të vijë gjenerata e 4-të është se diçka nuk shkon. Jo, komuniteti zvicerano-shqiptar është i integruar shumë mirë në përgjithësi dhe këtë e demonstron çdo ditë në shoqëri në të gjitha fushat. Prova, unë jam anëtar i Këshillit të Madh të Bernit si deputet”, ka thënë Rashiti.

Duke folur për figurën e një politikani shqiptar, Rashiti thotë se politikanët kosovarë janë shumë të mirë në çështjet retorike, duke shtuar se mungon një klasë politikanësh me ide reale liberale.

“Për mendimin tim mungon një klasë politikanësh me ide reale liberale, ide këto të cilat i kanë mundësuar pikërisht vendeve perëndimore të krijojnë pasuri dhe të rrisin standardin e jetesës së popullatës. Duhet kuptuar se nuk është politika apo shteti që krijon pasurinë e një vendi dhe individësh, por liria e individëve për të ndërmarrë… të papenguar dhe vullnetarisht mes tyre. Një politikan i mirë duhet të premtojë vetëm një gjë në realitet, t’i lërë njerëzit të lirë të ushtrojnë në fushën e tyre ekonomike pa i taksuar në mënyrë të paarsyeshme. T’u premtosh njerëzve diçka është t’ia marrësh dikujt tjetër. Ajo vetëm krijon tension në një shoqëri. Këtu është një citim nga një ekonomist i madh amerikan: mësimi i parë i ekonomisë është ai i mungesës, se ne kurrë nuk kemi mjaftueshëm gjithçka për të kënaqur plotësisht nevojat e të gjithëve. Dhe në politikë, mësimi i parë është të injorosh mësimin e parë të ekonomisë. Thomas Sowell”, ka thënë ai.

Por, a ka menduar ndonjëherë që t’i futej politikës në Kosovë?

Rashiti thekson se nuk e kishte menduar asnjëherë, megjithatë potencon se gjithnjë ka pasur ide për ta zhvilluar Kosovën.

“Jo, kjo ide nuk më ka shkuar kurrë në mendje. Por, gjithmonë kam pasur disa ide për të zhvilluar Kosovën. Mendoj se Kosova mund të luajë kartën e vendeve të vogla duke miratuar një politikë tatimore të favorshme që do të inkurajojë ardhjen e kapitalit dhe investimeve, por kjo kërkon konsensus politik dhe stabilitet afatgjatë në këtë politikë për të siguruar investitorët ndërkombëtarë. Kosova duhet të mendojë të jetë konkurrente tatimore në nivel botëror”, ka thënë tutje Rashiti.

Krejt në fund, Rashiti ka folur edhe për një bashkëpunim në mes të komunës së Prishtinës dhe Bernës.

“Po, bashkëpunimi mes bashkive është për zemër dhe këtu dua të krijoj një grup parlamentar që mund t’i ndihmojë këto marrëdhënie në bashkëpunim”, ka thënë ai.

Rashiti, i cili kishte kandiduar për një vend në Parlamentin Kantonal të Bernës, në zgjedhjet e mbajtura më 27 mars të këtij viti, në bazë të rezultateve të shpallura pas zgjedhjeve i kishte munguar numri i votave që të zgjidhej. Megjithatë, pas tërheqjes së dy fituesve, vendi në parlament u lirua për Rashitin. /Demokracia.com/

Të ngjashme