Lajme
Flasin për Demokracia.com| A kanë qëndrim unik partitë opozitare për protestën e nesërme të veteranëve?
Demokracia
14:46 | 15 Qershor 2022

Share:

Nesër me fillim prej orës 09:30 veteranët dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të protestojnë para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Organizata e Veteranëve dhe Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thirrur protestë gjithëpopullore për ditën e nesërme para Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, kjo si shenjë pakënaqësie pasi kjo kategori nuk u përfshi në Ligjin për Pagën Minimale.

Partitë opozitare gjatë ditës së djeshme kur edhe u votua në lexim të parë ky ligj e kundërshtuan dhe si shenjë proteste u larguan nga salla e Kuvendit të Kosovës.

Mirëpo përveç kundërshtimit që i bënë përmes votës, Partia Demokratike e Kosovës e përkrah edhe protestën të cilën nesër do ta mbajnë veteranët.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë për Demokracia.com, se kjo protestë është e domosdoshme dhe e nevojshme pasi që sipas tij, është momenti i fundit që t’i tregohet Qeverisë së Kosovës se kjo kategori nuk duhet të nëpërkëmbet në këtë mënyrë.

Ai ka thënë se e përkrahin këtë protestë dhe secili deputetë i PDK-së mund të dalë në protestë.

“Mendoj që kërkesat e tyre për thirrje të protestës janë jashtëzakonisht legjitime dhe në anën tjetër do me thënë kalimi i Ligjit për përcaktimin e pagës minimale që e përcakton minimumin e shumës me të cilën mundet me e kalu muajin një familje jo më shumë se 4 anëtarë me atë pagë minimale çfarë e kanë përcaktu, duke i lënë jashtë edhe kësaj page minimale edhe jashtë këtyre të ardhurave minimale kategorinë më të ndjeshme siç është kategoria e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për neve ka qenë dhe vazhdon të jetë e papranueshme. Ne si Parti Demokratike e mirëpresim çfarëdo organizimi që do të ndodhë në këtë rast dhe në anën tjetër deputetët veç e veç gjithsecili pavarësisht qofshin ata që janë veteranë të luftës, qofshin që s’janë që i mbështesin është në vendimin e gjithsecilit me dalë apo mos me dalë. Mirëpo mendoj që një iniciativë e tillë, një protestë e tillë karshi kësaj papërgjegjësie të madhe të Qeverisë është e domosdoshme dhe është jashtëzakonisht e nevojshme sepse nuk mundet më me u nëpërkëmbë kjo kategori në këtë formë çfarë janë duke i nëpërkëmbë pra Qeveria e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Tahiri për Demokracia.com.

Por nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se janë për dialog.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë për Demokracia.com, se ata janë për zgjidhje gjithëpërfshirëse përmes së cilës do të bëhej edhe kategorizimi i luftëtarëve por edhe verifikimi dhe pastrimi i listave.

“Ne jemi për zgjidhje gjithëpërfshirëse sa i përket problemit të pagës minimale, duke filluar prej kategorizimit të luftëtarëve e cila është e drejtë ligjore, pastaj verifikimit të listave të veteranëve, qasja gjithëpërfshirëse që ka të bëj me mundësinë që pasi të kategorizohen dhe pastrohen listat me mundësinë që t’i jepet veteranëve edhe e drejta përkundër benificionit për pjesëmarrje në luftë t’i jepet mundësia që të punojnë dhe të përmirësojnë kualitetin e tyre të jetës. Pastaj këtu duhet debat më i gjerë dhe gjitha këto të trajtohen me shumë kujdes dhe të shohim se cila është më e mira për qytetarët tanë. Ne nuk kemi të bëjmë me protestën ne jemi për zgjidhje me dialog, për zgjidhje gjithëpërfshirëse, zgjidhje e cila është një zgjidhje e mirë për të gjithë palët e interesit, palët që preken prej kësaj pune”, deklaroi Gashi për Demokracia.com.

Ndonëse ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë për Demokracia.com, se në parim AAK-ja mbështet protestën e veteranëve.

“Në parim jemi po, por akoma nuk e di nuk e kemi diskutua akoma në parti, por pas pak do të shkojë në parti dhe do e marrim një qëndrim”, ka thënë Tahiri për Demokracia.com.

Protestën gjithëpopullore të veteranëve e cila do të mbahet nesër e ka mbështetur edhe Partia Socialdemokrate, Nisma Socialdemokrate si dhe Lëvizja për Bashkim. /Demokracia.com/

Të ngjashme