Në ambasadën e Kosovës në Hagë, flamuri është ulur në gjysmështizë për nder të viktimave në aksidenti e Kroacisë.
Kështu ka bërë të ditur ambasadori i Kosovës në Hagë, Lirim Greiçevci përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, përcjell Demokracia.com.
“Flamuri në gjysmështizë në Ambasadën e Kosovës në Hagë në nderim të viktimave të aksidentit në Kroaci. Ngushëllime familjeve të prekura nga kjo tragjedi dhe shërim të shpejtë të lënduarve”, ka shkruar ai.
Kujtojmë se në nderim të viktimave të aksidentit që tronditi vendin, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpallur këtë të hëne ditë zie.
Aksidenti i autobusit të kompanisë “Deva Tours” po udhëtonte nga Frankfurti drejt Prishtinës.
Të dielën rrugën për në Kroaci mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me disa nga ministrat e kabinetit të tij.
Ai vizitoi të lënduarit të cilët po trajtoheshin në spitalin në Slavonski Brod.
Ndërsa mëngjesin e kësaj të hënë, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporë (MPJD), Donika Gërvalla ka treguar se dy nga personat e lënduar gjenden në mjekim intensiv e që njëri nga ta është në gjendje më stabile.
E dhjetë qirinj që simbolizojnë dhjetë jetët e humbura në aksidentin në Kroaci u ndezën pranë Teatrit Kombëtar në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë mbrëmjen e së dielës./Demokracia.com/