Lajme
Flamuri amerikan ngrihet në një xhami në Prishtinë, imam Maliqi: Do ta bëjmë traditë
Demokracia
12:05 | 04 Korrik 2023

Share:

Në xhaminë “Bedri Kamberi” në Prishtinë të martën është ngritur flamuri i Shteteve të Bashkuara të Amerikë, për nder të 247-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Imami i kësaj xhamie, Labinot Maliqi, tha se këtë synojnë ta shndërrojnë në traditë.

Ai u shpreh se SHBA-ja meriton mirënjohje dhe respekt për të gjithë mbështetjen që ka dhënë për popullin shqiptar.

“Ne simbolikisht në shenjë respekti, mirënjohje e falënderimi për çdo gjë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë për ne e po vazhdojnë të bëjnë edhe sot, vendosëm flamurin amerikan në xhaminë tonë, i cili do të qëndrojë 24 orë”.

“Përjetësisht mirënjohës e falënderues për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së në arritjet tona formuese. Shteti i Kosovës dhe kombi shqiptar i bashkohet sot popullit të SHBA-së, të cilët kujtojnë këtë datë historike të rëndësishme. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, zoti e bekoftë Kosovën dhe shtetin shqiptar”, tha Maliqi.

Ai tregoi për KosovaPress se një praktikë të tillë synojnë ta bëjnë të përvitshme.

“Çdo 4 korrik do ta vendosim flamurin e këtij vendi mik, partner dhe aleat i pazëvendësueshëm për Kosovën”, u shpreh Maliqi.

Vendosja e flamurit të SHBA-ve në xhaminë në Prishtinë ka ndodhur për herë të parë dhe mendohet të bëhet tradicionale çdo 4 korrik të Pavarësisë së Amerikës.

4 Korriku shënon 247-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Deklarata e Pavarësisë është një dokument ku 13 kolonitë e Mbretërisë së Bashkuar nga Amerika e Veriut shpallën pavarësinë nga Mbretëria e Bashkuar.

Dokumenti i Pavarësisë u ratifikua më 4 korrik 1776. Kushtetuta amerikane, e nënshkruar në vitin 1787 përshkruan bazën dhe strukturën e qeverisë të Shteteve të Bashkuara, e cila është e ndarë në tri degë, ato ekzekutive, legjislative dhe juridike, pra Presidenti, Kongresi dhe Gjykata e Lartë.

Të ngjashme