Lajme
“Fitorja e parë” e veteranëve të UÇK-së, votojnë vetëm 51 deputetë dhe nuk kalon Projektligji për Pagën Minimale
Demokracia
13:46 | 06 Qershor 2022

Share:

Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për ta votuar Projektligjin për Pagën Minimale.

Derisa po tentohej të niste seanca, jashtë sallës së Kuvendit po protestonin veteranët e UÇK-së të cilët nuk u përfshinë në projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore.

Kjo është fitorja e parë e veteranëve të UÇK-së përballë Qeverisë së Albin Kurit, shkruan Demokracia.com.

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe ata të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e kanë lëshuar sallën e Kuvendit të Kosovës, pasi nuk kaloi mocioni i propozuar nga PDK-ja për heqjen nga votimi i Ligjit për Pagën Minimale, i cili nuk ka arritur t’i marrë votat e duhura.

Ata para se të dilnin nga salla janë ngritur në këmbë dhe kanë thirrur: Turp, turp.

Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi ndërpreu punën.

“Vetëm 51 deputetë kanë votuar për këtë projektligj. Kuvendi nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje”, tha kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Deputetët opozitarë thirrën “marre” kur deputetët e mazhorancës i ngritën duart për të votuar PRO miratimit të këtij projektligji, nga i cili u lanë jashtë veteranët e UÇK-së, të cilët po protestojnë para Kuvendit.

Veteranët e UÇK-së u mblodhën te dyert e Kuvendit dhe tentuan të futen brenda, sepse ata po e konsiderojnë si të papranueshëm faktin që nuk janë përfshirë në Projektligjin për Pagën Minimale. /Demokracia.com/

Të ngjashme