Sport
Fitore shumë e vështirë e Istogut ndaj Prishtinës
Demokracia
18:16 | 14 Maj 2022

Share:

Istogu me shumë vështirësi e ka fituar gjysmëfinalen e parë të Kupës së Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Të shtunën në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, Istogu fitoi ndaj Prishtinës me rezultatin 35:33. Kështu Istogu është finalisti i parë i Kupës së Kosovës.

Ndeshja është vendosur vetëm në aksionet e fundit. Istogaset vetëm në fund krijuan epërsi prej dy golave. Një minutë para fundit, Prishtina shënoi për 34:33. Por fare në fund Natalija Milatoviq realizoi për rezultatin përfundimtar, 35:33.

Milatoviq u shpall lojtarja më e mirë e Istogut. Ndërsa te Prishtina lojtarja më e mirë u shpall portierja Teninke Kaba. Ajo është dalluar me pritje të shumta. Me disa pritje, sidomos në momentet e fundit, ka kontribuar edhe portierja e Istogut, Blerta Ahmetxhekaj.

Fillimi i ndeshjes i takoi Istogut që krijoi epërsi prej 7:2. Në minutën e 20-të rezultati u barazua në 13:13. Në fund të pjesës së parë Prishtina në dy raste kishte një gol epërsi, ndërsa pas 30 minutave shifrat ishin 18:18.

Në pjesën e dytë u luajt për secilin gol. Prishtina fillimisht krijoi epërsi prej dy golave, të cilën e kishte disa herë. Në minutën e 57-të, ishte Istogu që krijoi epërsi prej dy golave, 32:30. Prishtina u afrua në 32:31 e më pas edhe në 33:32. Por nuk ia doli të barazoi më dhe në fund rezultati ishte 35:33 për Istogun.

Esma Muratoviq ishte më efikasja te Istogu me 11 gola. 7 i realizoi Natalija Milatoviq.

Ivana Bojoviq realizoi 9 gola për Prishtinën. 6 i kishte Simone Keita. /Demokracia.com

Të ngjashme