Sport
Fitore me rekorde e Barcelonës në Champions
Demokracia
22:36 | 25 Tetor 2023

Share:

Barcelona nuk njeh rival në grupin H të Ligës së Kampionëve. Katalanasit shënuan fitoren e tretë, teksa mposhtën jo pa vështirësi 2-1 Shaktarin e Donetskun. Një 90 minutësh i zgjidhur që në pjesën e parë për skuadrën e Çavi Hernandez. Barcelona gjeti shumë shpejt avantazhin, me anë të Ferran Torres. Gol i akorduar edhe pas konsultimit me sistemin VAR, për të lejuar kështu festën e spanjollëve.

Torres shënon golin e pestë në tetë ndeshje për Barcelonën në Ligën e Kampionëve, duke u bërë spanjolli që e arrinë më shpejt këtë kuotë golash, për të tejkaluar rekordin e Luis Enrique. Edhe goli i dytë shkruan një faqe historike për klubin katalanas. Fermin Lopez debutoi me gol, për tu bërë lojtari i pestë më i ri që shënon me Barcelonën, në moshën 20 vjeç dhe 167 ditë. Goli i Sudakov në minutën e 62-të vlejti thjeshtë për statistikë për Shaktarin, që pësoi kështu humbjen e dytë dhe rrezikon seriozisht kalimin më tej.

Fitore komode regjistroi Fejnordi, 3-1 përballë Lazios. Një dominim absolut i holandezëve, që ishin të jashtëzakonshëm në fushën e lojës. Himenez shënoi një dopietë golash në këtë takim për të hapur dhe hipotekuar fitoren e Fejnordit. Kontribut të rëndësishëm dha edhe Zerrouki pasi shënoi golin e dytë të sfidës, ndërsa Pedro u përpoq të shmang humbjen e Lazios, por goditja e saktë nga 11 metërshi nuk shërbeu për pikë. Kjo ishte fitorja e dytë në grupin E për Fejnordin, teksa Lazio pëson humbjen e parë në Ligën e Kampionëve të këtij sezoni pas 3 takimesh. Për italianët u aktivizua Elseid Hysaj, i cili qëndroi në fushë gjatë pjesës së parë.

Të ngjashme