Lajme
Fischer ftohet për vizitë në Kosovë, i dhurohet portreti nga fjalimi i tij në vitin 1999
Demokracia
18:00 | 25 Janar 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, i ka dërguar sot ftesën e presidentes Vjosa Osmani, ish-ministrit të Jashtëm të Bundestagut, Joschka Fischer, për ta vizituar Kosovën.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Ajeti ka përmendur angazhimin e pashoq të Fischer për çlirimin e Kosovës nga regjimi serb, duke thënë se është një obligimin institucional, kombëtar e moral që traseja e aktivitetit diplomatik të Kosovës në Berlin, të kalojë nëpër zyrat “e atyre që ishin pranë nesh në kohët më të vështira të ekzistencës sonë”.

“Joschka Fischer nuk e fsheh gëzimin e tij për suksesin e gjithanshëm tё Republikës sё Kosovës, për orientimin e qartë euro-atlantik tё shtetit kosovar dhe tё kursit perëndimor tё shoqërisë dhe elitës kosovare. Nga takimet e tij me presidentin Rugova e deri tek temat aktuale mbi marrëdhëniet tradicionale, historike dhe tё pazëvendësueshme ndërmjet Republikës sё Kosovës dhe tё Gjermanisë, biseda me tё mbetet njё tour d’horizon unik për politikën e jashtme gjermane dhe atë botërore”, thuhet më tej në postimin e Ajetit.

Ai më tej ka njoftuar se përveç ftesës për të vizituar Kosovën të cilën e përcolli sot, ai i ka dorëzuar edhe një portret gjatë fjalimit të tij në maj të vitit 1999 për Kosovën, të punuar nga artisti Kosovar në Berlin, Berat Hasani.

“Ky portret ёshtё njё segment i vetëm nga fjalimi historik i Joschka Fischer gjatë luftës sё Kosovës, i mbajtur nё maj tё vitit 1999 nё Kongresin e jashtëzakonshëm tё Partisë sё Gjelbër nё Bielefeld. Ky nuk ka qenë çfarëdolloj fjalimi, por “fjalimi mё i mirё nё karrierën time politike”, pati deklaruar vet Joschka Fischer”.

Fischer ishte Ministër i Jashtëm gjatë vitit 1999, në kohën kur u zhvillua lufta e fundit në Kosovë, kur edhe pati një ndikim të madh që vendi ta fitonte lirinë.

Të ngjashme