Lajme
Finlanda është përgatitur për dekada: Ne do të luftojmë kundër Rusisë
Demokracia
14:43 | 22 Qershor 2022

Share:

Finlanda është përgatitur për një sulm rus për dekada dhe do të ofronte rezistencë të fortë nëse ndodh.

Kështu deklaroi sot shefi i Forcave të Armatosura të atij vendi, gjenerali Timo Kivinen, transmeton Demokracia.com.

“Vendi ynë ka ndërtuar një arsenal të konsiderueshëm armësh, por përveç pajisjeve ushtarake, faktori kyç është që finlandezët të jenë të motivuar për të luftuar”, tha gjenerali Kivinen, raporton Reuters.

Një vend dikur neutral, Finlanda, së bashku me Suedinë, paraqitën zyrtarisht një kërkesë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s më 18 maj, për shkak të shqetësimeve se ajo që i ndodhi Ukrainës mund t’i ndodhte asaj. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Helsinki ka ruajtur një nivel të lartë të gatishmërisë ushtarake.

“Ne kemi zhvilluar sistematikisht mbrojtjen tonë ushtarake për këtë lloj lufte në Ukrainë, me përdorimin masiv të forcave të blinduara, por edhe të forcave ajrore”, tha Kivinen. Siç vlerësoi ai, Ukraina ishte një detyrë e vështirë për Rusinë dhe kështu do të ishte edhe Finlanda.

Ky komb prej 5.5 milionë banorësh ka një forcë ushtarake prej rreth 280,000 ushtarësh me 870,000 rezervistë të trajnuar. Finlanda nuk e hoqi rekrutimin për burrat siç bënë shumë vende të tjera perëndimore pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Finlanda shpenzon dy për qind të PBB-së së saj për mbrojtje, që është një nivel më i lartë shpenzimesh se shumë vende të NATO-s. Rreth 82 për qind e të anketuarve në një sondazh të 18 majit nga Ministria e Mbrojtjes thanë se do të ishin të gatshëm të merrnin pjesë në mbrojtjen kombëtare nëse Finlanda do të sulmohej. Kivinen përshëndeti vendimin e Finlandës për t’u bashkuar me NATO-n.

“Anëtarësimi në NATO do t’i mundësonte Finlandës të forcojë kapacitetin e saj të paralajmërimit të hershëm duke qenë pjesë e kontrollit të përbashkët të hapësirës ajrore të Aleancës,” tha Kivinen. Ai shtoi gjithashtu se Finlanda do të përfitonte nga parandalimi, në të cilin një sulm ndaj një anëtari është një sulm ndaj të gjithë anëtarëve të saj.

“Megjithatë, përgjegjësia kryesore për mbrojtjen e Finlandës do të vazhdojë të mbahet nga Finlanda”, tha ai. /Demokracia.com/

Të ngjashme