Lajme
Financial Times: Lufta e Rusisë në Ukrainë, do ta ndryshojë rrënjësisht botën
Demokracia
08:00 | 21 Mars 2022

Share:

Një botë e re po lind. Po shuhet shpresa për pasjen e marrëdhënieve ndërkombëtare paqësore. Në vend të saj, kemi luftën e Rusisë ndaj Ukrainës, kërcënimet me një Apokalips bërthamor, një Perëndim të mobilizuar, një aleancë autokracish, sanksione ekonomike të paprecedenta, si dhe një tronditje të madhe në tregjet energjetike dhe ushqimore.

Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Por dimë se kjo që po shohim duket të jetë një katastrofë. Është e natyrshme të kërkosh dikë për ta fajësuar për këtë situatë. Për shumë njerëz, fajtor është zgjerimi i NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Në këtë qasje, figura kryesore është Xhon Mershajmer, studiuesi i shquar “i realizmit politik”, që fajëson për luftën e sotme vendimin e SHBA-së në vitin 2008 për të hapur mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në NATO.

Unë edhe jam por edhe nuk jam dakord me këtë qasje. Mendoj se gabimi ishte paqartësia. Oferta duhet të ishte bërë vetëm kur Ukraina të ishte gati t’i bashkohej aleancë si një anëtare me të drejta të plota. Por unë e kam mbështetur zgjerimin e NATO-s tek ish-satelitët e Rusisë, pasi besoj se “gardhet” e mira bëjnë edhe “fqinjë” të mirë.

Rusia e di shumë mirë se nëse pushton një anëtar të NATO-s, do të ketë luftë. Por nuk ishte i tillë rasti me Ukrainën. Kjo është arsyeja pse ky sulm dukej si një opsion i lehtë për despotin që sundon në Kremlin. Ndaj pyetjes se pse e hodhi këtë hap Vladimir Putin, një nga përgjigje është se drejton një regjim të dështuar.

Vetëm perandoria mund ta justifikojë sundimin e tij. Ekonomia ruse e varur nga eksportet ka rënë shumë, dhe ndodhet aktualisht pas asaj të Polonisë. Ajo është një parajsë e monopolistëve. Sot këta janë banditët e Putinit dhe “oligarkët” e epokës së Boris Jelcinit.

Edhe Ukraina ka dështuar në aspektin ekonomik. Por të paktën ky vend është demokratik. Dhe për Putinin, kjo aspiratë është e patolerueshme. Pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, shumë njerëz shpresuan se do të jetonin në një botë të udhëhequr nga bashkëpunimi dhe shkëmbimi reciprokisht i dobishëm.

Por konflikti i fuqive të mëdha priste gjithmonë të shpërthente nga momenti në moment. SHBA-ja u deh nga “momenti i saj unipolar”. Kina u bë më e fuqishme dhe autoritare nën presidentin aktual Xi Jinping. Putini shprehu vazhdimisht pakënaqësitë e tij, duke pushtuar më në fund një vend që ai mendon se e zotëron.

Tani po dëgjojmë shumë gjëra që i bëjnë jehonë Luftës së Parë Botërore. Më pas, ishte Austria, partnerja më e dobët, jo Gjermania, ajo që filloi konfliktin. Sot, është Rusia, partnerja më e dobët në aleancën e saj me Kinën. Mbështetja e premtuar e Kinës ndaj Rusisë, po rrezikon që t’i shndërrojë në një katastrofë rreziqet e krijuara nga lufta aktuale e Rusisë në Ukrainë.

Ajo do ta transformonte botën në dy blloqe, me pasoja të rënda ekonomike dhe në aspektin e sigurisë. Megjithatë, një Perëndim i mobilizuar është ende shumë më i fortë. Këtë e tregon ndikimi i sanksioneve perëndimore. Një Perëndim i bashkuar e lë pas Rusinë në të gjitha parametrat, përveç personelit ushtarak dhe armëve bërthamore.

Edhe nëse Rusisë i shtohet Kina, Perëndimi është dukshëm më i fuqishëm, përveç jo në numrin e popullsisë. Megjithatë, duhet të parandalohet nëse është e mundur një përplasje afatgjatë midis Perëndimit dhe një blloku autoritar të Rusisë dhe Kinës, përcjell CNA.

Pasi ajo do të ishte jashtëzakonisht e rrezikshme. Pra sot po shohim një botë në transformim. Shihni pak sfidat që kemi përpara. Duhet t’i jepet sa më parë fund luftës në Ukrainë, që është njëkohësisht një sulm ndaj një vendi paqësor, ndaj një demokracie dhe ndaj rendit botëror.

Kina mund të tentojë ta ndihmojë Rusinë të dalë nga ky qorrsokak. Dhe nuk është e vështirë të kuptosh se pse ajo e mbështet Putinin. Ndër të tjera, udhëheqësit e saj me siguri që kanë të njëjtën përbuzje qe ka Putini ndaj demokracisë. Por këto janë gabime të mëdha.

Siç ka treguar shpesh historia, shoqëritë e lira janë të fuqishme, pasi mobilizohen, dhe sepse gëzojnë mbështetjen e njerëzve të tyre. Po ashtu është thelbësore të menaxhohet kriza e ardhshme ekonomike.

Siç e mësoi bota edhe në vitet 1970, kombinimi i luftës, goditjeve në anën e ofertës dhe inflacioni i lartë është destabilizuess. Tani duket shumë i mundur edhe destabiliteti financiar. Por autoritetet monetare nuk mund të injorojnë inflacionin e lartë. Prandaj qeveritë duhet të përdorin mbështetjen fiskale për më të pambrojturit.

Për më tepër, Perëndimi duhet të përforcojë mbrojtjen e tij, në të gjitha frontet – ushtarake, energjitike, kibernetike dhe ekonomike. Mjerisht është e pashmangshme, që në një konflikt me degëzime kaq të mëdha, të parat janë kërkesat për siguri.

Kjo nuk është bota që dëshiron asnjë person i arsyeshëm. Por është ajo në të cilën po jetojmë tani. Është jetike që Bashkimit Evropian të bëhet një fuqi e vërtetë në fushën e sigurisë. Ai zotëron parametrat ekonomike dhe demografike për ta balancuar fuqinë e Rusisë.

Britania e Madhe pas Brexit, duhet të marrë pjesë sa më plotësisht që të jetë e mundur në këtë proces. SHBA-ja ka vërtet nevojë për një ndihmë të tillë evropiane, pasi do të merret edhe me sfidën që paraqet Kina e Xi Jingping.

Pavarësisht këtyre nevojave urgjente, ne duhet të përpiqemi të mos braktisim gjithçka që është arritur gjatë 3 dekadave të fundit. Ne nuk jemi në luftë me rusët e zakonshëm apo kinezët, që shpresojnë ashtu si ne për një të ardhme më të mirë. Përkundrazi, në një periudhë afatgjatë ata mund të jenë aleatët tanë.

Për aq sa është e mundur, sanksionet duhet të jenë specifike ndaj njerëzve të regjimit. Por e ardhmja e tregtisë dhe shkëmbimeve të tjera paqësore do të varet nga mënyra se si – dhe pas sa kohësh – do të përfundojë kjo krizë. Jo më pak e rëndësishme:ne duhet të kujtojmë shqetësimet më të gjera që ndajnë të gjithë njerëzit – mjedisi global, administrimi i pandemive, zhvillimi ekonomik dhe vetë paqja.cna lajme blog

Ne nuk mund të mbijetojmë pa bashkëpunim. Nëse çmenduria e Putinit vërteton diçka, është pikërisht kjo gjë. Bota e atyre që mbështeten tek motoja “fuqia është e drejtë” nuk është një botë në të cilën mund të jetojmë me siguri. Këtë e tregojnë edhe kërcënimet bërthamore të Vladimir Putin.

Pas betejës së Austerlicit në vitin 1805, Uilliam Pit i Riu bëri një deklaratë që do të ishte profetike:“Mblidheni hartën e Evropës; nuk do t’u duhet për 10 vitet e ardhshme”. Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e ka transformuar në mënyrë të ngjashme hartën e botës sonë.

Një periudhë e zgjatur stagflacioni duket e sigurt se do të ndodhë, me efekte potencialisht të mëdha mbi tregjet financiare.

Në terma afatgjatë, ka të ngjarë të shfaqen dy blloqe me ndarje të mëdha midis tyre, ashtu si edhe një kthim i përshpejtuar i globalizimit dhe sakrifimi i interesave të biznesit për hir të gjeopolitikës. Edhe lufta bërthamore është mjerisht, e imagjinueshme. Ndaj, lutuni për ndonjë mrekulli në Moskë. Pa një të tillë, rruga që na pret përpara do të jetë e gjatë dhe e vështirë./Financial Times

Të ngjashme