Lajme
Financial Times: Eksperienca e Maqedonisë nuk premton mirë për Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën
Demokracia
14:13 | 13 Qershor 2022

Share:

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski mund të ketë lënë përkohësisht mënjanë objektivin për anëtarësimin e vendit të tij në NATO por jo ambiciet për të hyrë në Bashkimin Evropian. Në fillim të këtij viti, së bashku me Moldavinë dhe Gjeorgjinë, vendi hodhi hapat e parë duke aplikuar për anëtarësimin në BE. Me gjashtë vende në Ballkan plus tre në Evropën lindore që duan t’i bashkohen bllokut – pa llogaritur Turqinë – BE- së i kërkohet që të reagojë si duhet për situatën.

Brukseli rrezikon të fajësohet dhe do të duhet të mbajë përgjegjësi nëse nuk i përgjigjet këtyre kërkesave, por dhe nëse nuk i përgjigjet sërish do të jetë fajtor. Në samitin e radhës së liderëve evropianë pritet dhe reagimi për kërkesat e reja dhe në të njëjtën kohë të vendoset për dy vendet kandidate që presin prej një kohë të gjatë: Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mund të nisin negociatat. Dy nga hapat në rrugën e gjatë për anëtarësim.

Mosrealizimi i momentit historik do të ishte goditje fatale për atë që liderët evropianë e kanë paralajmëruar si një zgjim gjeopolitik, pasi vendet e bashkuara kanë ndarë prej kohësh shumicën e gjërave që kanë të bëjnë me Rusinë dhe sigurinë evropiane. Lënia jashtë e vendeve më të cenueshme ndaj kërcënimeve nga Rusia e Vladimir Putinit do ta bënte të kotë qëllimin e këtij ndryshimi strategjik.

Por nëse BE-ja ofron perspektivën e pranimit për tre vende të tjera, ajo nuk duhet të lejojë që angazhimi i saj të zvogëlohet gjatë rrugës, siç ka bërë në Ballkanin Perëndimor. Ndikimi përçarës i Rusisë në Ballkan ka pasur një ndikim shumë më të madh sesa investimi i saj material në rajon, dhe Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina janë tashmë pjesërisht të pushtuara nga trupat ruse.

Nga ana tjetër, nëse Brukseli do të privilegjonte Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë mbi Ballkanin, do të dërgonte një sinjal se është konflikti që tërheq vëmendjen e Evropës dhe jo reforma politike dhe ekonomike.

Procesi i zgjerimit, dikur i shpallur si arritja më e madhe e Evropës, ka ngecur prej vitesh. Sfidat janë të frikshme: Ballkani Perëndimor vuan mosmarrëveshje të jashtëzakonshme të pazgjidhura të trashëguara nga shpërbërja e Jugosllavisë, ashtu si edhe shtetet pasardhëse të Bashkimit Sovjetik në Evropën Lindore të pushtuara nga Rusia. Reforma politike dhe ekonomike po mbahet rob i elitave të korruptuara.

Brukseli është kritikuar shpesh e sidomos kohët e fundit për qasjen ndaj Shkupit. E njohur si kandidate për anëtarësim në BE në 2005, statusi i Maqedonisë së veriut u ngri për shkak të një mosmarrëveshjeje dypalëshe me Greqinë. Megjithatë, marrëveshja historike e Prespës e arritur nga të dy vendet në vitin 2018 nuk i zhbllokoi gjërat. Në nëntor 2020, Bullgaria bllokoi Maqedoninë e Veriut nga përparimi drejt anëtarësimit në BE mes mosmarrëveshjeve mbi historinë, identitetin dhe gjuhën. Edhe Shqipëria është përfshirë në këtë mosmarrëveshje, pavarësisht përpjekjeve të saj të rëndësishme për reforma.

Politika e brendshme e vendeve evropiane shpeshherë e ngarkuar e ka parë bllokun të humbasë rrugën e tij në politikën e jashtme. Pasoja në vendet fqinje që janë shumë të varura nga BE-ja ka qenë një rreth vicioz korrupsioni, bllokimi dhe kthimi prapa për sa i përket demokracisë.

Të ngjashme
Lajme • 13 Maj 2024