Lajme
Finalizohet Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit
Demokracia
13:24 | 09 Shkurt 2021

Share:

Ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi ka bërë të ditur se me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është finalizuar Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Selmi ka shtuar se përkundër faktit që vendi ynë ka të funksionalizuar programin e kompensimit të viktimave të krimit në Kosovë, megjithatë ky proces përmes rishikimit të Ligjit ekzistues duhet avancuar.

Ai ka thënë se ky ndryshim ka ardhur falë përkushtimit të tij dhe se tani e tutje, këta persona ta zënë vendin e merituar në kuadër të sistemit juridik të Kosovës.

“Trajtimi i viktimave të krimit dhe rregullimi i tij përmes legjislacionit përkatës, si dhe tani ndryshimi dhe plotësimi është dëshmi e përkushtimit tim dhe të Ministrisë së Drejtësisë që viktimën e  krimit ta mbështes, kompensojë dhe t’i mundësojë ta zënë vendin e merituar në kuadër të sistemit juridik te Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjerash Selimi.

Postimi i plotë i Selimit, pa ndërhyrje:

Pas një pune intensive disa mujore dhe me mbështetje të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës është finalizuar Projektligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Edhe përkundër faktit që vendi ynë është lider në rajon që ka të funksionalizuar programin e kompensimit të viktimave të krimit në Kosovë, nga viti 2017 është vlerësuar se ky proces përmes rishikimit të Ligjit ekzistues duhet avancuar, me theks të veçantë:

–  Është zgjatur afati për aplikim nga 6 muaj sa është aktualisht në 2 viteve;

–  Janë rishikuar kriteret  për kompensim, me qëllim që viktimat e dhunës në familje, mos ta kenë kusht kërkesën për dëmshpërblim nga i pandehuri. Po ashtu një risi është edhe qasja e menjëhershme në kompensim për viktimat e dhunës në familje, viktimat e mitur, ku do të mundësohet që disa lloje të dëmeve të kompensohen pa përfunduar procesi gjyqësor;

–  Janë rishikuar  kushtet materiale dhe formale për kompensim, duke përfshirë edhe lehtësime procedurale, si dhe janë zgjeruar llojet e veprave penale.

Trajtimi i viktimave të krimit dhe rregullimi i tij përmes legjislacionit përkatës, si dhe tani ndryshimi dhe plotësimi është dëshmi e përkushtimit tim dhe të Ministrisë së Drejtësisë që viktimën e  krimit ta mbështes, kompensojë dhe t’i mundësojë ta zënë vendin e merituar në kuadër të sistemit juridik te Republikës së Kosovës. /Demokracia.com/

https://www.facebook.com/selimselimiks/posts/246267677107684

Të ngjashme