Lajme
Fillon seanca dëgjimore kundër 7 të dyshuarve për rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit
Demokracia
11:08 | 24 Shkurt 2021

Share:

Është duke u zhvilluar seanca dëgjimore për të dyshuarit e sulmit kundër Nikolla Rashiqit, djalit të kryetarit të Partisë Progresive të Serbëve në Kosovë, Nenad Rashiq.

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është duke u mbajtur seanca dëgjimore kundër shtatë të dyshuarve për rrahjen e djalit të Nenad Rashiqit, Nikolla, e cila ndodhi të hënën para shkollës në fshatin Llapnasellë të Graçanicës.

Këtë e ka konfirmuar për Demokracia.com, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Gashi ka thënë se seanca është duke u zhvilluar, e cila ka filluar në ora 10:30 dhe të njëjtit do të dalin para gjykatës në Graçanicë, meqenëse rasti është kryer në atë komunë.

“Të pandehur janë shtatë persona dhe seanca dëgjimore është duke u mbajtur në degën e Graçanicës, për shkak se vepra penale është kryer atje”, ka thënë Gashi, për Demokracia.com.

Nga tetë të dyshuarit, shtatë prej tyre sot kanë dalë para Gjykatës, ndërsa tjetri person i dyshuar për këtë rast është i mitur.

Nenad Rashiq dje në një konferencë për media ka treguar se djali i tij, Nikolla Rashiq është sulmuar nga një grup i të rinjve me shufra të hekurta.

Ai ka thënë se djali i tij ka pësuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në kokë, ku i janë thyer tre dhëmbë si dhe ka pasur gjakderdhje të madhe. /Demokracia/

Të ngjashme