Lajme
Fillon rinumërimi i 494 vendvotimeve, KQZ tregon arsyet
Demokracia
16:54 | 22 Shkurt 2021

Share:

Ka nisur procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve, për të cilat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mori sot vendim.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një konferencë për media nga Qendra e Numërimit të Rezultateve (QNR), ka thënë se janë katër arsye se përse po rinumërohen këto vendvotime.

“Në QNR po fillon procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve për të cilat mori vendim më herët KQZ-ja. Arsyet të cilat u takojnë komunave të ndryshme të Kosovës . Janë kategorizuar 4 grupe. Gjatë procesimit të formulareve, 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen sit ë rregullta përgjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve. 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta, për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë me saktësi”, ka thënë Elezi.

“Në 370 vendvotime është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në rastet e caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik. Në 83 vendvotime, gjatë krahasimit të subjektit me kandidatët, rezulton se subjekti nuk ka vota dhe kandidatët kanë vota ose anasjelltas”, ka shtuar ai.

Në fund, Elezi ka bërë të ditur se gjithsej janë duke u rinumëruar 506 vendvotime, pasi javën e kaluar u mor vendim që një procesi të tillë t’i nënshtrohen edhe 12 të tjera.

Kujtojmë se sipas rezultateve preliminare të KQZ-së të publikuara deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve parlamentare, pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës./Demokracia.com/

https://www.facebook.com/104628651508214/videos/235333278248508

Të ngjashme