Lajme
Fillon me “K”, por nuk është vetëm Kosova… SHBA-ja me adut të ri për presion në Ballkanin Perëndimor
Demokracia
18:19 | 19 Janar 2022

Share:

Fillon me “K”, por duket se nuk është Kosova. Është tema që në të ardhmen do të jetë fokusi i Amerikës, përveç trysnisë dhe bisedimeve për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete.

Ky fokus do ta shtojë edhe fuqinë, e cila nevojitet që të mbahet ndikimi në Ballkanin Perëndimor – bëhet fjalë për korrupsionin. Angazhimi i Uashingtonit do të jetë i drejtuar në zgjidhjet politike përmes parandalimit të korrupsionit dhe ‘gjakderdhjes’ së parave të pista, që njëkohësisht mund të shërbejë edhe si presion bashkëkohor politik, për çka do të mund të marrë edhe mbështetje nga jashtë, shkruan Demokacia.com.

Kështu të paktën mund të arrihet në përfundim bazuar në deklaratat, por edhe nga hapat konkretë që vijnë nga dy adresat më të rëndësishme në botë – Departmenti i Shtetit dhe Shtëpia e Bardhë, respektivisht presidenti Joe Biden.

Shembulli më i ri, i cili shkon drejt vërtetimit të kësaj teze është deklarata e përfaqësuesit speciale të Departmentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ka thënë se korrupsioni është guri në këpucë dhe arsye që ekonomia nuk është ndarë nga korrupsioni.

I pyetur se cilat janë ato çështje që sot më së shumti e mundojnë Ballkanin, ai ka dhënë përgjigje të qartë dhe e ka emëruar “fajtorin”.

“Do të thosha se ekzistojnë disa tregime të mëdha të suksesshme. Tregimi për ish Jugosllavinë është i suksesshëm. Nëse i shihni shtatë shtetet që e kanë përbërë Jugosllavinë, dy janë në Bashkimin Evropian, katër në NATO. Kurse në Ballkanin Perëndimor, tri janë në NATO, kurse katër tjera po bëjnë përparim solid drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian. Megjithatë, ekziston një pengesë që paraqet sfidë të madhe – kjo sfidë është korrupsioni. Korrupsioni është arsyeja se shumë shtete nuk kanë arritur përparim më të madh”, ka thënë Escobar, transmeton Demokracia.com.

Ai ka shtuar se “kjo po ashtu është arsyeja që pjesë të rajonit kanë probleme demografike”.

“Kështu që duhet të jem i sinqertë, kurdo që takon njerëz në diasporë, numri i madh i njerëzve që largohen nga rajoni nuk është për arsye të problemeve etnike. Nuk largohen, sepse jetojnë në shtete multientike. Largohen, sepse nuk kanë rast për të ardhme adekuate ekonomike për shkak të lidhjeve korruptive. Pra, ky është problemi numër një me të cilin Ballkani përballet dhe gjithashtu sfida më e madhe për thithjen e investimeve të huaja në rajon”, ka thënë Escobar.

Qëllimi, ka sqaruar ai, është që të rriten kapacitetet për hetim, ndjekje penale dhe gjykim në rastet që lidhen me korrupsionin dhe krimin e organizuar në tërë Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Serbinë, Shqipërinë, Bosnje e Hercegovinën, Kroacinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Ky pozicion amerikan nuk ka ekzistuar më herët, kurse thuhet se Escobar si i dërguar special do të jetë i pranishëm në rajon për 14 muaj. Megjithatë, askush nuk do të befasohej sikur ky mandat t’i zgjatej.

Njëkohësisht gjatë kësaj kohe janë publikuar informacione se SHBA-ja do të fusë politikanë në të ashtuquajturën ‘listë e zezë’. Tashmë ekzistojnë hamendësime se në këtë listë do të jenë politikanë nga Kosova, Serbia, Republika Serbe dhe pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë listë, ka spekulime se mund të hyjnë edhe politikanë që kundërshtojnë arritjen e një marrëveshje afatgjate ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi që SHBA-ja më nuk mund të presë dhe t’i pranojë inatet ballkanike.

Emërimi i Gabriel Escobarit si i dërguar special i Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor dhe një sërë ambasadorësh të rinj në rajonin tonë, ambasadorë me peshë të madhe, tregon për rikthimin e vëmendjes së Uashingtonit në problemet ekzistuese dhe zgjidhjen e tyre.

Me Escobarin në Ballkan janë edhe Christopher Hill, i cili do të shërbejë si ambasador në Beograd, Jeffrey Hovenier që tashmë e ka marrë rolin e ambasadorit në Prishtinë. Këtyre në Bosnje do t’ju bashkohet edhe Micheal Murphy, derisa James O’Brien është emëruar koordinator për politikën e sanksioneve në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Të gjithë këta kanë qenë shumë aktivë në rajon në vitet e 90-ta. Dy prej tyre kanë marrë pjesë në Rambuje, derisa njeri e ka shkruar tekstin e Marrëveshjes së Dejtonit. /Demokracia.com/

Të ngjashme