Lajme
Fillojnë reduktimet e rrymës së shtrenjtuar në Kosovë | Kurti (dhjetor 2021): Ose reduktime ose shtrenjtim të rrymës
Demokracia
10:15 | 15 Gusht 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në dhjetor të vitit të kaluar kishte paralajmëruar reduktime të rrymës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, në dhjetor të vitit të kaluar kishte thënë se për shkak të krizës energjetike, zgjidhja do të bëhet ndërmjet reduktimit të rrymës apo shtrenjtimit të saj, shkruan Demokracia.com.

Sipas tij, e gjithë kjo pasi që çmimet e importit ishin shtatëfishuar dhe një megavat energji më 21 dhjetor të vitit të kaluar, sipas Kurtit, kushtoi 515 euro.

Megjithatë, Kurti kishte thënë se situata me energjinë është stabilizuar.

“Me shtimin e likuiditetit dhe subvencionimin e importit kemi arritur të stabilizojmë furnizimin dhe reduktimet pothuajse janë hequr”, kishte shkruar Kurti në një postim në Facebook.

Atë kohë, sipas Kurtit, ishin munduar që të riparojnë problemet në bllokun B2, pasi sipas Kurtit, as gjysma e konsumit nuk mund të mbulohet nga prodhimi i energjisë elektrike në termocentralet “Kosova A” dhe “Kosova B”.

“Janë dy faktorë të brendshëm që na kanë sjell në këtë krizë. Mungesa e vizionit për zhvillim socio-ekonomik të Kosovës, me planifikim të sektorit energjetik për furnizim të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme, si për amvisëritë ashtu edhe për industrinë. Së dyti, korrupsioni qeveritar i bërë zakon, e që kulmoi me privatizimin e rrjetit të shpërndarjes dhe furnizimit për vetëm 26 milionë euro”, kishte shkruar Kurti më 27 dhjetor të vitit të kaluar. /Demokracia.com/

Të ngjashme