Lajme
Figura e famëkeqe nga Ballkani, e përfshirë në skandalin “Suisse Secrets”
Demokracia
07:20 | 21 Shkurt 2022

Share:

Rodoljub Raduloviq, serbi i akuzuar si bos i drogës i cili po gjykohet për pjesëmarrje në kontrabandën ndërkombëtare të kokainës, ka hapur dy llogari në bankën zvicerane “Credit Suisse” në kohën kur ishte nën hetim dhe kishte miliona në to, sipas të dhëna të rrjedhura nga skandali “Suisse Secrets”.

Raduloviq është emri i parë i madh që del të jetë i implikuar në aferën e “Suisse Secrets”.

“Suisse Secrets”, një aferë e madhe ndërkombëtare, ka nxjerrë në pah pasurinë e fshehur të klientëve të bankës së madhe zvicerane “Credit Suisse” të përfshirë në tortura, trafik droge, pastrim parash, korrupsion dhe krime të tjera të rënda.

Sipas të dhënave, Raduloviq hapi një llogari në vitin 2005 me rreth 165,000 franga (105,000 euro) të deponuara në qershor të vitit 2006.

Ai hapi një tjetër llogari dy vjet më vonë me afro 3.4 milion franga (rreth 2.3 milion euro) të cilat i deponoi më 2008, zbulojnë të dhënat e rrjedhura nga “Suisse Secrets”.

Banka private zvicerane Credit Suisse ia hapi Raduloviqit llogarinë bankare, pavarësisht faktit se ai ishte përfshirë më parë në një sërë mashtrimesh financiare në Amerikë.

Nuk mungojnë edhe llogaritë nga Shqipëria. Nëse sheh me vëmendje hartën që ka publikuar “The Guardian” vihet re se edhe Shqipëria dhe Kosova janë shënjuar me rreth. Kjo do të thotë se në këtë bankë ka edhe llogari të personave nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Mediat e huaja që kanë raportuar lajmin nuk i kanë nxjerrë ende të gjithë emrat për të parë se cilët janë shqiptarët që kanë depozituar para në këtë bankë.

Nxjerrja e këtyre të dhënave është konsideruar si një nga dështimet më të mëdha të Credit Suisse, pavarësisht nga premtimet e përsëritura të saj gjatë dekadave për të larguar klientët e dyshimtë dhe fondet e paligjshme.

“The Guardian” thotë se banka zvicerane, në mënyrë të përsëritur hapte ose mbante llogari bankare për një grup klientësh me rrezik të lartë në të gjithë botën.

Të ngjashme