FIFA ka hedhur idenë e bujshme për organizimin e Kampionatit Europian dhe Botërorit çdo dy vite, dhe jo çdo katër vite siç është aktualisht.
Lajmin e bujshëm e dha vetë presidenti i FIFA-s Infantino i cili shpreson që ky projekt të miratohet vitin e ardhshëm dhe gjithçka të nisë në vitin 2027. Arsyeja është se në Amerikë, Kanada e Meksikë po bëhen punime për të pritur Botërorin në vitin 2026.
Kjo do të përfshinte dhe futbollin e luajtur në nivel klubesh që do të ndryshonte rrënjësisht datat e ndeshjeve, pikërisht ky është dhe ngërçi që po has FIFA për momentin. E thënë në shifra, një organizim i tillë do të linte vetëm 53 data për ndeshjet në kampionate nga 63 që janë momentalisht.
Megjithatë kjo nuk është pritur mirë nga të gjithë pjesëtarët e futbollit dhe ka pasur kundërshtime pasi një projekt i tillë do ta bënte futbollin dhe më voluminoz, por dhe më të lodhshëm për lojtarët. Gjithsesi mbetet për tu parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me këtë projekt që shumë shpejt pritet të marrë jetë.