Sport
FFK ofron bashkëpunim në hetimet për dyshimet rreth kurdisjeve të ndeshjeve
Demokracia
18:59 | 29 Maj 2023

Share:

Federata e Futbollit të Kosovës është shprehur e hapur për bashkëpunim në hetimin e kurdisjeve eventuale të ndeshjeve.

Sipas njoftimit, FFK ka filluar në mbledhjen e dëshmive dhe deklaratave nga zyrtarët e ndeshjeve më të përfolura Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça’89-Prishtina, për adresimin e tyre në organet përkatëse.

“Megjithatë, ndeshjet e xhiros së 36-të, në të cilat vendosej për rënie nga liga dhe për hyrje në barazh, bën shumë bujë dhe sollën polemika e komente të ndryshme. Duke pasur parasysh të gjitha këto rrethana, FFK-ja i ka marrë të gjitha informacionet relevante për dy ndeshjet më të përfolura të kësaj xhiroje, Ferizaj-Dukagjini dhe Trepça’89-Prishtina.”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Pas përfundimit të këtyre ndeshjeve, organet përkatëse të FFK-së, në përputhje me rregulloret e brendshme dhe aktet normative të UEFA-së, kanë ndërmarrë masat e duhura dhe kanë filluar procesin e mbledhjes së deklaratave dhe dëshmive nga të gjithë zyrtarët e këtyre ndeshjeve për t’i adresuar dhe shqyrtuar ato me seriozitet maksimal.”, njofton FFK.

Po ashtu, FFK është shprehur se është e vendosur të ruajë imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës.

“Njëherësh, FFK reagon me ashpërsi ndaj çdolloj njollosje që i bëhet me deklarata të ngutshme dhe akuzuese, derisa është e vendosur për të ruajtur imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës, pas të gjitha investimeve që ka bërë për një garë sa më “fair-play”. FFK nuk do të lejojë që individë, grupe apo kushdo tjerë të prishin imazhin e saj dhe të futbollit të Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Të ngjashme