Një Lajm i hidhur ka ardhur sot për sportin kosovar e në veçanti për futbollin pejan. Në moshën 54 vjeçare ka ndërruar jetë ish-futbollisti i Besës së Pejës, Eroll Krasniqi, shkruan Demokracia.com.
Federata e Futbollit e Kosovës ka ngushëlluar familjen Krasniqi dhe komunitetin e futbollit për këtë humbje të madhe
Njoftimi i FFK-së:
Telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Eroll Krasniqit
E nderuara Familje Krasniqi!
Me pikëllim të thellë e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Eroll Krasniqi, ndaj ju lutem që në emrin tim, KE të FFK-së dhe tërë komunitetit të futbollit, më lejoni të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe të thella për humbjen e më të dashurit tuaj dhe mikut tonë.
Kontributi i Erollit për futbollin ishte i madh dhe i vlerësuar nga të gjithë, veçmas në rajonin e Dukagjinit, ku ai spikati me lojëra atraktive në fanellën e KF Besa.
Ai u shqua për korrektësi maksimale në fushën e gjelbër, teksa në vazhdimësi kontribuoi që tek të rinjtë pejanë ta transmetojë dashurinë për futbollin.
Erolli ishte punëtor i madh sportiv, mik i jashtëzakonshëm e i respektueshëm dhe personalitet me vlera të larta, andaj si të tillë do ta kujtojmë gjithmonë.
Në këto momente të vështira për ju, bashkëndjejmë me dhimbjen tuaj, teksa lutemi që shpirti i tij të pushojë në paqe!
Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së