Sport
FFK-ja reagon për incidentin në Gjilan, i quan “huliganë” tifozët që sulmuan portierin e Ballkanit
Demokracia
17:26 | 03 Prill 2022

Share:

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar ndaj incidentit të ndodhur sot në kryendeshjen mes Gjilanit dhe Ballkanit në Superligën e Kosovës në futboll.

Shtëpia e futbollit kosovar ka njoftuar se Komisionet e FFK-së do ta shqyrtojnë rastin dhe do të marrin vendimin rreth këtij incidenti, raporton Demokracia.com.

FFK-ja i ka quajtur “veprim qyqar” sulmin ndaj portierit, Stivi Frashëri dhe individët që e shkaktuan atë i ka quajtur “huligan”.

“Goli i shënuar në sekondat e fundit të ndeshjes bëri që tifozët gjilanas të hyjnë në fushën e lojës për të festuar, e ku dy prej tyre e bënë një veprim qyqar dhe huligan, duke e sulmuar portierin mysafir. Si pasojë e dhunës së shfaqur ndaj tij, ai, me autoambulancë u dërgua për trajtim të mëtutjeshëm në spital. Si rrjedhojë ndeshja u ndërpre dhe tani i mbetet Komisioneve të FFK-së për ta shqyrtuar rastin dhe për të marrë veprimet rreth këtij incidenti”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Kujtojmë se gjendja e Stivi Frashërit pas dërgimit në spital është e mirë dhe se pranë tij po qëndrojnë drejtuesit e klubit dhe bashkëlojtarët. /Demokracia.com/

Të ngjashme