Sport
FFK-ja përgënjeshtron raportimet për rrahje brenda selisë, thonë se ishte vetëm debat i zakonshëm
Demokracia
15:56 | 16 Mars 2022

Share:

Federata e Futbollit e Kosovës ka reaguar me anë të një sqarimi në lidhje për raportimet e një rrahje brenda selisë së FFK-së ku thuhej se presidenti Agim Ademi e ka sulmuar fizikisht njërin nga punëtorët e administratës, Artan Govorin.

Shtëpia e futbollit kosovar i ka përgënjeshtruar këto raportime duke theksuar se ka qenë vetëm një debat i zakonshëm mes tyre, shkruan Demokracia.com.

Sipas FFK-së, dëshmitarë në këtë rast janë stafi i federatës të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet kur aludohet se ka pasur sulm fizik.

“Sulmi” i Ademit ndaj Govorit, kishte debat mes tyre dhe jo kontakt fizik

Sqarimi i plotë i FFK-së:

Federata e Futbollit e Kosovës sqaron opinionin lidhur me raportimet e mediave për kinse sulm fizik të presidentit Agim Ademi ndaj njërit prej punëtorëve të administratës, Artan Govori brenda selisë së FFK-së. FFK edhe njëherë shpreh indinjatën e saj dhe detyrohet të përgënjeshtrojë raportimet e tilla të pavërteta. Në selinë e FFK-së nuk ka ndodhur kurrfarë sulmi fizik, siç raportohet në media, por thjesht ka qenë një debat i zakonshëm për natyrat e punës brenda federatës. Janë stafi i FFK-së dhe dëshmitarë tjerë, të cilët kanë qenë të pranishëm në momentet kur aludohet se ka pasur sulm fizik, e që në fakt ka qenë vetëm një debat. Raportimet e tilla janë në vazhdën e inskenimeve, presioneve e shantazheve që po bëhen nga persona që nuk kanë aspak të bëjnë me futbollin dhe që synojnë që nëpërmjet formave të tilla të vijnë deri te kapja e këtij institucioni. Sidoqoftë, FFK si institucion kredibil do të vazhdojë rrugëtimin e saj përkundër presioneve të tilla, me qëllimin e vetëm për progres të futbollit kosovar dhe që t’i mbajë larg këtij institucioni dhe larg futbollit njerëzit e grupeve të interesit./Demokracia.com/

Të ngjashme