Lajme
Festat Zyrtare| Qeveria feston në vikend, pushon në ditë pune
Demokracia
13:34 | 25 Prill 2022

Share:

Gjatë këtij viti, në Kosovë janë plot 24 ditë festa zyrtare.

Festat zyrtare të përcaktuara me ligj në Kosovë janë Viti i Ri, Dita e Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Dita e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Dita Ndërkombëtare e Punës, Dita e Evropës, Bajrami i Madh, Bajrami i Vogël, Krishtlindjet Katolike, Krishtlindjet Ortodokse, Pashkët Katolike dhe Pashkët Ortodokse.

Këtë vit, gjashtë të hëna radhazi, duke filluar nga 11 prilli deri më 9 maj ishin ditë pushimi bazuar në Ligjin për Festa Zyrtare, përcjell Demokracia.com.

Qeveria e Kosovës kishte lëshuar vendim për muajin prill, ku tri të hëna me radhë do të pushonin zyrtarët e shtetit. E shpejt erdhi edhe muaji maj, ku bashkë me të vijnë edhe festat e tjera.

Ligji për Festat Zyrtare në Kosovë, i miratuar në vitin 2008, parasheh 11 festa dhe ato respektohen nga institucionet publike, por jo edhe nga bizneset e sektorit privat.

Ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Festat Zyrtare, përkatësisht heqjen e disa festave zyrtare dhe ndalimin e bartjes së festave nga fundjava në ditë pune, e kanë kërkuar disa herë edhe deputetët e partive më të mëdha politike në Kuvendin e Kosovës, por deri tash nuk është bërë asnjë ndryshim.

Ligji ka hyrë në proces të ndryshimit dhe ka kaluar në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, por të vetmin ndryshim që e përmban është përfshirja edhe e një feste tjetër: Ditës së Komunitetit Egjiptian, që shënohet më 24 qershor.

Në bazë të ligjit, “kur ditët e festave zyrtare bien ditën e shtunë ose të diel, ditë pushimi janë ditët pasardhëse të punës – dita e hënë”, përcjell Demokracia.com.

Përveç këtyre festave, ligji përcakton edhe tetë ditë memoriale, por për to nuk ka pushim. /Demokracia.com/ 

Në tabelën e mëposhtme gjeni tabelën me datat e pushimeve zyrtare të vitit 2022 dhe festën që simbolizon secila datë.

Të ngjashme