Lajme
Festa e Bajramit u përcoll me pesë raste të dhunës në familje
Demokracia
19:57 | 17 Qershor 2024

Share:

Pesë burra në rajonin e Prishtinës, të dielën janë raportuar nga gratë e tyre për dhunë në familje. Qytetarët fajësojnë edhe policinë për mosreagim adekuat. E sociologët konsiderojnë që faktorë kyçë për vazhdim të këtij fenomeni janë gjendje socio-ekonomike dhe mendësia patriarkale

Në ditën kur besimtarët myslimanë festuan Kurban Bajramin, të dielën, në stacionet policore u raportuan pesë burra për ushtrim të dhunës në familje.

Tri gra vetëm në Fushë-Kosovë kanë raportuar bashkëshortët e tyre për ushtrim të dhunës fizike.
“Fushë Kosovë, 16.06.2024-16:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje verbale e ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij. I njëjti është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës të hënën për njërin rast.

E një grua në Obiliq, ka denoncuar burrin e saj pasi rrahu fëmijën e tyre teksa po lozte. I denoncuari me vendim të prokurorit është liruar me procedurë të rregullt.

“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit në konsultim me prokurorin është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Me procedurë të rregullt është liruar edhe një person në Lipjan, i cili është denoncuar po ashtu nga bashkëshortja për ushtrim të dhunës psikike.

Ndërkohë, qytetarët e vlerësojnë shqetësuese këtë fenomen. Ali Misini kërkon që institucionet e drejtësisë të tregohen më efikase në trajtimin e rasteve të dhunës në familje.

“Hallka e parë aty ku raportohet te policia duhet të jetë më profesionale. Unë e di që ka shumë neglizhencë nga ana e policisë, pasi ata nuk janë të trajnuar dhe të edukuar për t’i trajtuar çështjen e dhunës në familje dhe shpesh ka ndodhur që i kanë rekomanduar sidomos grave që me u kthye dhe me gjet zgjidhje dhe të mos e bëjnë të madhe dhe kjo nuk është në rregull dhe besoj që me policinë duhet me punua më shumë”, ka thënë Misini.

E Latif Sejdiu ka thënë se duhet të ashpërsohen dënimet ndaj personave që ushtrojnë dhunë në familje.

“Shteti duhet të përkujdeset për këto gjëra, normal, edhe pak njerëzit kanë faj se e kanë lëshuar rrugën e Zotit, se feja nuk e lejon njeriu të kryejë vrasje ndaj bashkëshortit apo bashkëshortëve, pa marrë parasysh, nuk e lejon. E ka lejuar një ligj për shkurorëzim por jo edhe me ia marrë jetën, pasi kjo nuk shkruan askund. Edhe këtu te ne është një problem tjetër që dënimet janë të vogla, se për shembull me ndodhë një rast dhe me marrë një dënim maksimal, të tjerët do të kishin më shumë kujdes”, ka thënë ai.

E, sipas sociologes Flakë Ymeri, rastet e dhunës në familje ndodhin për shkak të problemeve socio-ekonomike, por edhe nga mungesa e edukimit të mirëfilltë mbi të drejtat fondamentale të njeriut.

“Faktorët kryesorë që shohim se po dërgojnë deri te dhuna është gjendja e rënduar ekonomike, pastaj mosplotësimi i nevojave personale ndaj dy partnerëve, pastaj kemi të bëjmë me personalitete të ndryshme, pasi ende është mendësia që burri është më i fortë, ajo që konsiderohet i fortë edhe pse ne e dimë që burrat ndoshta fizikisht mund të jenë të fortë, mirëpo nuk matet fuqia në aspektin e dhunës fizike, por në barazi dhe nëse ne zgjedhim mjetin e komunikimit për t’i zgjidhur të gjitha problemet, atëherë kjo do të quhet barazia”, ka thënë Ymeri.

Në raportin e fundit të Policisë janë përfshirë edhe dy raste të dhunës në familje që kanë ndodhur të shtunën në Istog e Leposaviq, ku dy burra janë denoncuar për dhunë fizike dhe psikike.

“Leposaviq, 15.06.2024 – 23:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti kishte ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës, ish-bashkëshortes së tij. Viktima pas ndihmës mjekësore në QKMF-Leposaviq është dërguar në spitalin rajonal për tretman mjekësor. Pas intervistimit me urdhër të prokurorit kujdestar, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë, të hënën./KTV/.

Të ngjashme
Lajme • 26 Qershor 2024