Lajme
Fenomeni Gani Jakupi | I “vjelë” mbi 15 mijë euro edhe nga Komuna e Prishtinës, shteti vihet në mbështetje të tij (Dokument)
Demokracia
17:13 | 06 Dhjetor 2023

Share:

Gani Jakupi, superkëshilltari i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk po “ngopet” me para të kosovarëve të varfër.

Pëveç pagës së majme si këshilltar, prej 7 mijë e 500 eurosh, Gani Jakupi po merr fonde edhe për projekte të ndryshme nga institucionet qendrore e lokale, shkruan Demokracia.com.

Jakupi ka marrë së fundmi edhe mbi 15 mijë euro nga Kuvendi Komunal i Prishtinës.

Demokracia.com ka siguruar vendimin e Kuvendit Komunal të Prishtinës për mbështetjen e një festivali që është mbështetur edhe nga Ministria e Kulturës. Vendimi ishte marrë në shtator të këtij viti dhe mban nënshkrimin e kryesuesit të Kuvendit, Pëllumb Bajçinovcit.

Sot, po ashtu, u raportua se organizata e themeluar nga ai është përfituese edhe e 20 mijë eurove të ndara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), për të organizuar festivalin “Gran Fest 2024”.

LEXO EDHE:

Gani Jakupit i dalin edhe 20 mijë euro, Ministria e Kulturës ia financon një festival

 

Lista e fituesve të kësaj thirrje është publikuar në faqen e MKRS-së më 29 nëntor të këtij viti.

Gran Fest është festival ndërkombëtar në Kosovë që i dedikohet romanit grafik.

Kjo organizatë, e cila është përfituese e subvencioneve për mbështetje kulturore, quhet Instituti Për Art – ProARTE.

Jakupi u bë temë në mediat e Kosovës, pasi u raportua se ishte angazhuar këshilltar i jashtëm për çështje kulturore dhe mediatike, i kontraktuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), me pagë mujore 7500 euro, me një vit kohëzgjatje, që do të thotë me 90 mijë euro në vit.

Pagën e tij, ministrja Gërvalla-Schwarz e quajti modeste gjatë një raportimi para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme