Viteve të fundit në futbollin e Kosovës pothuajse në secilin afat kalimtar po shfaqet një dukuri e cila nuk shihet në futbollin profesionist. Kjo dukuri ka të bëjë me ndërrimin e dy apo tri skuadrave nga lojtarët kosovarë brenda një merkatoje.
Pavarësisht se nuk dihen arsyet e “divorceve” të shpejta nga klubet dhe futbollistët, kjo dukuri është larg profesionalizmit. Vetëm në këtë afat kalimtar të janarit janë shfaqur dy raste të këtij fenomeni.
Rasti i fundit ka ndodhur të mërkurën mbrëma kur portieri i njohur, Armend Ruxhi u prezantua te Vushtrria. Kalimi i tij te ish-kampionët e Kosovës erdhi vetëm shtatë ditë pasi u zyrtarizua te klubi tjetër i Ligës së Parë, A&N, shkruan Demokracia.com.
E njëjta situatë i ka ndodhur edhe “gardianit” tjetër kosovar, Andin Thaqit në po këtë afat kalimtar. Këtij të fundit aventura te Vushtrria fillimisht i zgjati vetëm dy ditë, ngase iu bashkua më pas Ulpianës në Superligë.
Rreth pesë muaj më parë, në afatin kalimtar të verës, mbrojtësi, Azem Bejta pas largimit nga Drenica vendosi t’i bashkohej Malishevës së inkuadruar në elitën e futbollit kosovar. Edhe Bejta ndryshoi shpejt ambient. Ai më pas u zyrtarizua te Feronikeli duke i mbrojtur ngjyrat e “Industrialistëve” deri në merkaton e dimrit për t’u larguar më pas, pas krizës së madhe financiare që e kaploi klubin nga Drenasi.
Aventurë “rekord” e shkurtër që bëri bujë ndodhi në Ligën e Dytë në merkaton e dimrit të vitit 2021. Futbollisti, Nue Nreca brenda 24 orëve ndërroi dy skuadra. Fillimisht u prezantua te Fushë Kosova, kurse të nesërmen filloi stërvitjet me Rahovecin.
Këta janë vetëm disa nga transferimet që gazeta ka arritur të identifikojë në disa merkatot e fundit të transferimeve.
Duraku: Klubet po u premtojnë shumë lojtarëve, e nuk po i realizojnë ato
Trajneri i njohur kosovar, Fahredin Duraku në lidhje me këtë dukuri është shprehur kritik ndaj klubeve dhe futbollistëve. Sipas tij, klubet po u premtojnë shumë futbollistëve, ndërsa nuk po i realizojnë ato.
“Kjo është një qasje joprofesionale e klubeve dhe lojtarëve. Sa kam marrë vesh unë nga disa lojtarë, kur janë marrë vesh në paga, klubi nuk i ka përmbush ato kushte për atë periudhë afatshkurte, prandaj lojtarët kanë zgjedhur një klub tjetër për t’u transferuar. Kjo është një joprofesionalizëm tek ne. Shikoni sa jemi mbrapa. Shembull, unë isha në Turqi në një ekip të ligës së tretë e jam rikthyer dhe po e pres një ofertë. Ndërsa kur erdha këtu pash dallimin e madh në gjithçka. Drejtorët sportiv nuk po vinë nga kjo lami apo nga një lami tjetër shembull. Derisa e udhëheqin sportin këta njerëz ne gjithmonë kemi me mbet mbrapa. Për atë arsye njerëzit adekuat, t’i bindin ata lojtarë, me kushte me gjithçka dhe jo lojtari të kalojë pas dy ditësh në një klub tjetër. Premtimet e klubeve janë të rrejshme. Ata po premtojnë dhe nuk po i realizojnë ato ndaj lojtarëve. Më vjen vërtetë keq që po duhet të shprehem kështu, mirëpo fatëkeqësisht nuk i kemi drejtorët, njerëzit e shkolluar që të kenë njohuri rreth këtyre gjërave. Unë portierin, Andin Thaqin ua kam propozuar atje në Turqi për ta transferuar, derisa ai po më tregon se në një klub në Kosovë nuk ia kanë plotësuar kushtet. Tha trajner ‘nesër mi kanë premtuar parat’, ndërsa ata nuk e kanë mbajtur fjalën dhe djali është detyruar të shkojë tek Ulpiana të cilët ia kanë plotësuar ato. Munden të hidhërohen, munden të mos hidhërohen. Pra klubet po premtojnë shumë e nuk po i realizojnë. Ato kushte që i keni, ato edhe premtojani”, deklaroi trajneri, Fahredin Duraku të enjten për Demokracia.com.
Hyseni: Gënjeshtrat e kryesisë së klubeve po detyrojnë futbollistët të marrin këso vendime
Ish-sulmuesi i disa skuadrave të mëdha në Kosovë, Berat Hyseni “gishtin” për këtë çështje e ka drejtuar kah kryesitë e klubeve të cilët sipas tij po i gënjejnë futbollistët kur po u japin premtime para nënshkrimit të kontratës.
“Unë mendoj që pika e parë që lojtarët marrin kësi vendime nuk është problemi te ata. Kjo sepse lojtari i beson dhe i qëndron në fjalë premtimeve dhe marrëveshjes të cilën ë bëjnë në bashkëpunim me ekipin apo kryesitë e klubeve. Por, deri te ky vendim i dërgon vetëm një gjë. Ato janë gënjeshtrat e kryesive, premtimeve, dhe atyre që sun i përballojnë ato. Pastaj ata detyrojnë sportistat apo futbollistët të marrin këso vendime të pahijshem dhe jo në të mirën e tyre, sepse nuk është e lehtë të prezantohesh në dy klube të ndryshme brenda një afati kalimtar. Pse këto gjëra nuk ndodhin në futbollin evropian? Sepse marrëveshjet mes futbollistit dhe klubit normalisht që bëhen në prani të mediave, me avokat i cili i mbron futbollistit të drejtën e tij dhe nënshkrimi bëhet atëherë kur klubi i plotëson dëshirën futbollistit dhe kushtet të cilat janë rënë dakord. Por, e kundërta ndodhë në Kosovë, sepse presidentët apo kryesitë tentojnë që t’i japin fjalët që një sportisti të ja marrin kohën e afatit kalimtar dhe ai mos të këtë mundësi që të ndërrojë ekipin dhe të detyrohet me pranu një klub të pakënaqur dhe me lujtë me gënjeshtrat që ia ka folur një klub. Shpresojë që klubet, presidentët të jenë më korrektë me futbollistët. Mos të mendojnë të keqpërdorin një lojtar, sepse futbolli luhet për para dhe jo për gënjeshtra e premtime koti”, potencoi ish-futbollisti, Berat Hyseni për Demokracia.com.
Kuqi: Niveli menaxherial i shumicës së klubeve kosovare lë shumë për të dëshiruar, kjo është rrugë e gabuar
Gazetari me shumë përvojë i sportit në Kosovë, Art Kuqi, vlerësoi se fenomeni në fjalë tregon nivelin menaxherial të disa nga klubeve kosovare, e cila sipas tij, “lë shumë për të dëshiruar”.
“Ky fenomen mbase e tregon më së miri nivelin menaxherial të shumicës së klubeve tona, që lë për të dëshiruar. Ndodh për shkak të mënyrës së marrëveshjes ndërmjet klubit dhe futbollistit, pa e nënshkruar kontratën. Ka raste që kontrata edhe nënshkruhet, por e njëjta nuk dërgohet me kohë në FFK dhe futbollisti e shfrytëzon një gjë të tillë nëse i paraqitet ndonjë mundësi më e mirë. Arsye e shpeshtë është edhe mos kryerja me kohë e detyrimeve financiare nga ana e klubit. Mendoj që shumica absolute e klubeve e kanë anashkaluar në tërësi aspektin organizativ dhe menaxherial, duke shpenzuar shuma abnormale në futbollistë, që nuk përkojnë aspak me nivelin dhe cilësinë që e tregojnë në fushën e lojës. Kjo nuk është rruga që duhet të ndjek futbolli ynë. Jemi në rrugë të gabuar”, deklaroi gazetari i sportit, Art Kuqi për gazetën. /Demokracia.com/