Lajme
Fëmijët shurdhmemecë të pabarabartë në arsimim e punësim
Demokracia
22:17 | 15 Tetor 2022
Ilustrim

Share:

Në mungesë të të dhënave zyrtare, nuk ka një numër të saktë në Kosovë se cili është numri i fëmijëve me të dëmtuar në të dëgjuar dhe të folur. 

Por edhe ata që janë të identifikuar dhe vijojnë mësimin fillor e të mesëm, kanë probleme në shkollim, pasi atyre përveç gjuhës së shenjave për komunikim, nuk u mësohet gjuha që ata të paktën të dinë shkrim dhe lexim.

“Nee tash i kemi përfunduar shkronjat dhe tash këta fëmijë janë në klasën e dytë dhe kur e shohin në tabelë shkronjën, e vendosin vetë në fletore, për shembull e sheh hënën në tabelë dhe e di se fillon me shkronjën H dhe e vendosin atë në fletore…” tha mësuesja Shyqerije Bytyqi, për RTK-në.

Mësimi në Qendrën Burimore “Nënë Tereza” në Prizren e zhvillojnë fëmijët me dëmtime në të dëgjuar dhe të folur, planprogrami mësimor zhvillohet në përputhje me rekomandimet e Ministrisë së Arsimit.

“Puna  e parë është që të mësojnë mirë gjuhën e shenjave, edhe duhet të fillojnë me mësimin me shkronjat dhe mësimin e shkrim leximit, e mbi të gjitha të mësohet më shumë gramatikë…” tha asistenti i gjuhës së shenjave, Besnik Parduzi.

Mungesa në këtë shkollë ishte ajo e tabelave të mençura dhe projektorëve nëpër klasa, e cila gjë do të krijonte një mësim edhe më cilësor për nxënësit.

Qendra Burimore për Mësim dhe Këshillim “Nënë Tereza” në Prizren numëron gjithsej rreth 60 nxënës, prej tyre 20 janë në edukimin parafillor dhe parashkollor, derisa 40 nxënës janë nga klasa e parë deri në të 12-ën.

Në shkollimin e mesëm të lartë, ofrohen dy drejtime profesionale, drejtimi i dizajnit, përkatësisht rrobaqepësi dhe drejtimi  zdrukthëtari.

Këto kërkesa të qendrës nga drejtues të Ministrisë së Arsimit, gjegjësisht udhëheqësja e divizionit të arsimit gjithëpërfshirës Luljeta Behluli-Kabashi vë në dukje se do të plotësohen nga viti 2023, pas ndryshimeve të akteve nënligjore të cilat janë paraparë të bëhen me planin strategjik për arsimin gjithëpërfshirës.

Vitit 2022 është shpallur si vit i aftësisë së kufizuar, në të cilën pretendohet të plotësohen kushtet dhe t’u jepet mundësia për qasje të barabartë në arsim, punësim e shëndetësi.

Personat me aftësi të kufizuar në të folur që të kenë më të lehtë mësimin e gjuhës së shenjave, Shoqata e të Shurdhërve të Kosovës në ueb faqen e tyre “gjshk.org”, ka futur materiale të shumta dhe të ndryshme mbi mësimet e gjuhës së shenjave. Në këtë platformë përveç personave me vështirësi në të folur mund të kenë qasje të gjithë qytetarët të cilët dëshirojnë ta mësojnë gjuhën e shenjave dhe të komunikojnë me këtë kategori të shoqërisë.

Të ngjashme